Karriera e boksierit shkodran Marsel Sermi në Francë vazhdon të jetë e suksesshme. Dy ditë më parë ai ka arritur edhe fitoren e tij të tretë në boksin profesionist ndaj marokenit Nourredine El Goumi, ndeshje kjo e vlefshme për peshën deri 70 kg.

Boksieri ynë është ngjitur në ring i veshur me bluzën e kuqe dhe me shqiponjën dykrenare të stampuar në të ndërkohë që kundërshtari i tij mësohet të ketë qenë disa herë kampion i Marokut dhe me një eksperiencë të madhe në boksin amator.

Në këtë mënyrë sfida e zhvilluar në Francë duket se ka qenë një përballje ndërkombëtare pasi në ring janë ngjitur ish- kampioni i Shqipërisë Marsel Sermi dhe ish- kampioni i Marokut Nourredine El Goumi dhe si e tillë është pritur të ishte një përballje shumë e fortë.

Por duhet thënë se boksieri shkodran e ka dominuar takimin nga fillimi e deri në fund. Ai i ka dhënë një grusht të fortë marokenit në fundin e raundit të parë dhe u duk se do të ishte një nokaut megjithatë ai është ngritur në këmbë dhe ka vazhduar ndeshjen.

El Goumi ka rezistuar deri në fundin e takimit por tre arbitrat nuk kanë pasë as më të voglin dyshim për të shpallur fitues Marsel Sermin që e ka dominuar atë nga fillimi e deri në fund.

Boksieri shkodran në këtë mënyrë e ka nisur ashtu si duhet karrierën e tij si boksier profesionist me tre fitore në tre ndeshje të luajtura dhe me siguri që edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë i suksesshëm sepse i ka aftësitë dhe përgatitjen e duhur për ta bërë një gjë të tillë.
© shkodrasport.com