Vllaznia e femrave dhe ndeshjet e saj në Champions League kanë zënë vëmendjen e opinonit sportiv në Shkodër këto ditë. Për këtë temë ka folur edhe presidenti i vajzave, Lazer Matija i cili ka qenë i ftuar në Star Plus. Ai madje ka përdorur një gjuhë të ashpër edhe ndaj disa komenteve që përbaltin imazhin e ekipit të femrave.

Matija tha: “Nuk jam i trishtuar si fillim për eleminimin nga Champions League. Duhet të ndodhin gjëra më të rënda që njeriu të trishtohet. Por realisht ishte një eleminim që ndoshta nuk e kishim menduar. Por ky është futbolli, ndonjëherë nuk vjen ai rezultat që ti kërkon dhe pretendon.

Duhet pranuar edhe fakti tjetër që ekipi i Valurit ishte më i përgatitur se ne. Shënoi dy herë dhe mund të them se e merituan.

Lojtaret e afruara? Janë marrë nga unë sepse as trajneri Lika dhe as Leka nuk janë marrë me këtë pjesë. Sepse ne nuk kemi aq stafe të kompletuara tek futbolli i vajzave. Nuk i kanë në Superiore skautët dhe menaxherët e jo më tek femrat. Kështu që dështimi i tyre është direkt një përgjegjësi e imja.

Komentet e njerëzve? Epo tashmë ka të drejtën të shkruajë çdo zorraxhi dhe pilafexhi në rrjetet sociale. Sepse kështu e meritojnë që të cilësohen. Që nuk kanë asnjë lloj vlere askund dhe dalin me profile fallso dhe thonë nga fjalët më të ulëta. E aludojnë gjëra që nuk ekzistojnë. Nuk jam kundër që të shkruajnë komente sepse Vllaznia është e të gjithëve, por të akuzosh dhe shpifësh është e papranueshme.

Ata janë njerëz inekzistentë dhe dashakeqës. Ata persona unë nuk i njoh, por ata më njohin mua. Dhe që nesër i pres në zyrë dhe i sqaroj se sa është investuar tek kjo Vllazni. Sepse kjo është Vllaznia më e investuar e këtyre 10 viteve.

Unë e kam detyrë t’iu kthej një përgjigje këtyre maskarenjëve sepse këta nuk janë specialista. Sepse të jetë specialist unë e dëgjoj dhe ia marr për bazë mendimet”.
Endri ÇINARI