Ne nje analize te hollesishme te asaj se çfare po ndodh ne Superlige, trajneri i njohur Shpetim Duro eshte ndalur edhe tek Vllaznia. Ai e konsideron ate pretendente per titullin kampion bashke me Tiranen e Kukesin. Ja si e shpjegon ai kete gare:

”Kemi diskutuar pas eliminimit të Tiranës, nuk është i lehtë për një skuadër që ka objektiva. Do të fillojnë problemet, sidomos te Tirana që ka presion rezultatesh. E pamë te humbja me Kukësin, që vazhdoi te barazimi me Korçën, jo që nuk ndodh por ajo çka dha. Është në vend të parë, por është ndryshe pasi Kukësi e Vllaznia po e rivalizojnë për titull.

Per Kukesin kam qenë skeptik, për arsye të mbrojtjes, por jam i bindur që Kukësi është skuadër më kompakte. E pamë dhe me Tiranën, dhe me Egnatian, kam mendimin që është meritë e tyre, është kundërshtar serioz dhe i shoh kompakt, racional dhe me besim për rezultatet.

Sa i takon Teutes, Arapi i njeh mirë lojtarët, ka qenë kapiten. Por është pozicion tjetër të jesh futbollist, dhe tjetër trajner. Ndryshon në të gjitha aspektet, ndeshjen e ka decizive me Vllazninë. Defektet kryesore i ka pasur në mbrojtje që ka pësuar, porta, qendra. Vjet shënonte Teuta, dhe ishte e vështirë t’i ndëshkoje, imagjinoje për dy ndeshje ka pësuar katër gola. Ndërsa në sulm ka kualitet Teuta.

Vllaznia? Kemi thënë që ka kontingjent të mirë lojtarësh, kishte probleme në mbrojtje por është forcuar. Vllaznia është skuadër që të shënon, kur krijohet siguri mbrapa. Është rival serioz për titull, ndërsa me Tiranën dhe Kukësin duhet të flasë për vendin e parë, këto janë momentalisht.

Titulli: ”Ndoshta i hapi rrugë humbja e Tiranës me Kukësin, them që kampionati është bërë mjaft interesant. Megjithëse përpara ka ndeshje të vështira, do ta shohim në javët në vazhdim”.

Laçi: ”Ishte fillim i keq i kampionatit, pati përmirësim por nuk duhet gabuar më. Janë gabimet e mëparshme, nuk e menaxhuan mirë ndeshjen me Partizanin, ndërsa humbja në Shkodër ndodh. Ishte ndeshje e ekuilibruar, por vendosën episodet. Ishte moment pasigurie, shënoi Vllaznia, ndërsa më pas shkodranët menaxhuan mjaft mirë rezultatin”.

Rreziku për të rënë nga kategoria: ”Për respekt të kundërshtarëve, por nëse ka shpresa Kastrioti kush duhet të ketë tjetër. Shikoj dhe Skënderbeun në vështirësi, nuk duhet vetëm pikët, por dhe fitorja. Ndërsa Egnatia mbetet aty, është më serioze se dy rivalet e tjera në fundin e tabelës. Surpriza do të ketë në javët në vazhdim”, u shpreh Duro.