Kombëtarja shqiptare e boksit do të niset sot drejt Kosovës për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari”. Ky turne i përvitshëm do të zhvillohet për dy ditë me rradhë, nesër dhe pasnesër në pallatin e sportit të qytetit të Gjakovës. Në të do të marrin pjesë boksierë nga 9 vende dhe pikërisht nga Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria, Shqipëria, Sllovenia, Hungaria dhe Kosova.
Ndeshjet do të nisin nesër në orën 12.00 në pallatin e sportit “Shani Nushi” të këtij qyteti. Sipas informacioneve që merren vesh nga ana e Federatës Shqiptare të Boksit, Shqipëria do të përfaqësohet në këtë aktivitet me një përbërje të plotë, me 9 boksierë dhe pikërisht: në peshën 56 kg do konkurrojë vlonjati Krenar Zeneli, në peshën 60 kg Elsid Kalemi, në 64 kg fieraku Arnold Kuqari, ndërsa në peshën 69 kg do ketë një përjashtim se ekipi ynë do të përfaqësohet me dy sportistë dhe pikërisht me tiranasin Albi Sorra dhe me shkodranin Kristian Shytani. Në 75 kg do të konkurrojë Alban Barmeta, në 81 kg Aleksander Rama, në 91 kg Kristian Demaj dhe në peshën +91 kg Indrit Laçi. Siç shikohet edhe nga emrat, përfaqësimi pritet të jetë shumë dinjitoz sepse Shqipëria përfaqësohet në këtë turne me sportistët e saj më të mirë. Bashkë me ta do të jenë edhe tre trajnerët e kombëtares, Skënder Kurti, Zef Gjoni dhe Sead Bushati ndërsa përgjegjës i delegacionit do të jetë anëtari i kryesisë së Federatës Mhill Volaj. Duhet thënë se përvoja e boksierëve tanë në këtë turne është shumë e mirë e këtë e tregon fakti që vitin e kaluar, ata kanë zënë plot 4 vende të para dhe pikërisht me sportistët Anxhelo Merkohasanaj, Kristian Shytani, Asmer Bilali dhe Alban Barmeta. Të shohim këtë vit se sa vende të para do të zënë pjestarët e kombëtares sonë.
Gjergj KOLA