Pasditen e sotme duhej të ishte luajtur në Tiranë ndeshja e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Partizanit dhe Vllaznisë. Por kjo nuk ka ndodhur sepse Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur shtyrjen e këtij takimi.

Në fakt aryeja pse është shtyrë ajo duket paksa absurde: Po sot, luhet edhe derbi i futbollit, ai Tirana- Partizani dhe kësisoj e gjithë vëmendja është fokusuar aty dhe mbase FSHB ka vendosur ta shtyjë ndeshjen e kampionatit, ndoshta edhe për shkak të mungesës së uniformave blu që do të jenë të angazhuar tek sfida e futbollit.

Një arsye absurde sepse ndeshjet e basketbollit në Tiranë nuk kanë tifozë në shkallët e pallatit të sportit dhe rrjedhimisht nuk ka pse të lidhej ajo me ndeshjen e futbollit.

Ende nuk është e qartë nëse Vllaznia ka qenë dakord me këtë shtyrje të ndeshjes apo jo, por me shumë të ngjarë edhe drejtuesit e saj kanë dhënë OK-in ngaqë të martën luajtën sfidën e Ligës Ballkanike me Pejën dhe të martën e ardhshme do të luajnë sfidën e ardhshme në Mal të Zi me Ibar.

Vllaznia aktualisht ndodhet në vendin e tretë në renditjen e kampionatit me 18 pikë, po aq sa edhe Goga Basket e vendit të dytë, ndërkohë që krueson Teuta me 21 pikë. Këto tre ekipe pritet të jenë edhe rivalët kryesorë në luftën për titullin kampion këtë sezon.
www.shkodrasport.com