Xhevahir Sukaj është nga ata sulmues që ka vendosur disa herë derbin e kryeqytetit. Ish-bomberi i Partizanit që sot është pjesë e Flamurtarit, në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport” mundohet të zbërthejë ndeshjen e rivalëve të përjetshëm.

Pikat e forta dhe të dobëta të dy ekipeve, por jo vetëm. Për Sukajn derbin e vendos një shkodran, pikërisht Eraldo Çinari. 

“Në ndeshjet e mëdha siç është derbi, për mendimin tim diferencën e bëjnë goditësit e portës dhe ato që nëna i ka lindur të jenë gjithmonë në momentin e duhur.

Mendoj se te Partizani vendimtar do të jetë Çinari. Pse e theksoj? Sepse ka intuitën e shfrytëzimit të kundërsulmit, me të cilën Partizani mendoj se këtu do bëjë diferencën”- ka thene ai.

Nderkohe duke folur serish per ndeshjen qe do te startoje ne oren 19.00, shkodrani Sukak do te shprehej: “Partizani ka pika të forta dhe ai është grupi. Për mua, grupin që ka Partizani nuk e ka Tirana. Jua përsëris sërish, Partizani e përgatit më qetësisht derbin dhe kjo ndikon shumë te rezultati i ndeshjes.

Tirana po kalon një moment të mirë dhe jam shumë dakord për këtë. Por kur ke një ekip si Partizani përballë, rreziku për ta zbehur momentin e mirë të bardhebluve është aty. Nuk ka moment për një ekip në një ndeshje derbi. Mos harroni se Partizani e përgatit më së miri derbin”- ka shtuar Sukaj.