Sindrit Guri tregoi në ndeshjen e fundit me Oostenden se është një lojtar me potencial të madh. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, luajti pak ditë më parë me ekipin e tij, teksa arriti të shënonte një gol dhe fitoi penalltinë e golit të dytë për skuadrën, në një ndeshje mjaft të vështirë. I futur si zëvendësues në atë takim, Guri arriti të bindte trajnerin se duhet t`i krijojë më shumë mundësi.

Në rrjedhën e intervistave me legjionarët, që Telesport po zhvillon prej ditësh, sot është Sindrit Guri që rrëfen momente nga karriera e tij në Belgjikë. Ai shprehet realist kur pohon se në stol u ul pasi nuk po shënonte, ndërsa tani kërkon që të vijojë me golat.

Ndërkaq, Guri flet edhe për emocionet e shënimit të golit, komplimentet nga shokët e skuadrës dhe mbi të gjitha trajneri, që sipas qendërsulmuesit kuqezi, ka shumë besim tek ai. Guri flet edhe për kombëtaren, teksa shprehet se është trajneri Panucci ai që e ka në dorë përzgjedhjen, ndërsa sulmuesi thotë se ka për detyrë të bëj punën e tij me klubin.

-Sindrit, urime së pari për golin, mungesë e gjatë pa shënuar por tani shënuat gol dhe fituat një penallti. Çfarë emocionesh përjetove?

-Normalisht u ndjeva shumë mirë, sepse kishte shumë kohë që nuk shënoja në kampionat. Mendoj se po e rritem nga ndeshja në ndeshje.

-Cfarë të thanë shokët dhe trajneri pas ndeshjes?

-Të gjithë më thanë se ishte ndeshje e mirë, por sidomos trajneri që pret shumë nga unë, sepse është vetë ai që këmbnguli për mua, që të transferohesha në Oostende.

-Ishte kjo ndeshja e konfirmimit për ty?

-Shpresoj që të jet fillimi i diçkaje të bukur, që do të thotë të shënoj vazhdimisht.

-Pse kaq pak hapësira te Oostedente?

-Të them të drejtën jo se kam pasur pak hapësira. Në fillim nuk munda t`i shfrytëzoja si duhet sepse po luaja çdo ndeshje dhe nuk po shënoja. Normalisht kur sulmuesi nuk shënon i bie që të ndërrohet dhe të provohet një tjetër, por shpresoj të vazhdoj të luaj e të shënoj vazhdimisht.

-Çfarë nuk ka shkuar mirë me lojën e ekipit, që nuk keni pasur ecuri këtë sezon?

-Mbase shumë lojtarë të rinj, sepse këtu i besohet shumë lojtarëve të rinj. Trajneri është ndërruar po ashtu i gjithë stafi dhe shumë lojtarë kanë ikur. Ka pasur edhe ardhje dhe normale që duhet të konsolidohet ekipi, ky është mendimi im.

-U përfol shumë gjatë janarit se mund të largoheshe nga Oostende, na zbulo çfarë ka ndodhur?

-Vetëm njëherë e kam menduar, po kur i kërkova agjentit tim, ai më tha që trajneri të ka në plane dhe duhet të qendrosh. Dëshira ime ishte të qëndroja.

-Kishte klube që u interesuan për ty dhe mund të na tregosh ndonjë emër?

-Të them të drejtën këto ja lë në dorë agjentit tim. Nuk merrem fare me pjesën e ekipeve, vetëm kur është diçka 100% konkrete. Por doja të qëndroja këtu sepse dua që t`i tregojë Oostendes që nuk kam ardhur për një shëtitje, por kam ardhur të kontribuoj për këtë ekip që të kemi një ecuri të mirë.

-Si kanë qenë këto muaj për Sindritin në Belgjikë, çfarë të ka bërë më shumë përshtypje?

-Këtu jeta është ndryshe nga Shqipëria dhe normalisht është pak e vështirë të përshtatesh. Por tani çdo gjë është shumë mirë. Më ka bërë përshtypje fakti që këtu njerëzit janë shumë të ftohtë, thjesht bëjnë punën e tyre dhe nuk duan t`ja dinë për asgjë tjetër.

-Goli dhe penalltia, janë një sinjal për trajnerin e Oostendes që të të krijojë më shumë mundësi?

-Këto ndeshje kam pasur shumë mundësi dhe kam bërë ndeshje shumë të mira, siç ishte ajo para 1 jave. Thjesht nuk po shënoja dhe tani u shpërbleva dhe shpresoj të vazhdoj kështu.

-Po për trajnerin Panucci, ishte ky një sinjal?

-Të them të drejtën, unë mundohem të jap më të mirën këtu me klubin dhe për të tjerat vendos trajneri Panucci. Nëse unë bëj pjesë apo jo në planet e tij kjo nuk më takon mua.

-Si e sheh kombëtaren në prag të grumbullimeve të marsit, lojtarët po luajnë me ekipet e tyre?

-Besoj se çdo lojtar që do të luajë për kombëtaren, po ashtu të luajë dhe mirë madje. Ka nga ata lojtar që me klubin bëjnë performacë shumë të mirë dhe me kombëtaren jo. Këtu nuk është faji i lojtarëve po i modulit të lojës që lojtarët mësohen dhe luajnë gjatë gjithë vitit. Ka nga ata lojtar që nuk luajnë me ekipet e tyre, por kur vjen puna në kombëtare janë shumë mirë.

-Sa pikë duhet të ketë Shqipëria objektiv në dy ndeshjet e para?

-Mendoj se me pikët e plota do ishte një nisje perfekte, por dhe 4 pikë nuk do ishte keq. Duhet të fokusohemi dhe të japim më të mirën, nuk është diçka e pamundur.

-Cilin sheh rivalin direkt të kombëtares për kualifikim, veç Francës?

-Normalisht mendoj se Islanda dhe Turqia janë ekipe shumë të mira dhe me cilësi. Sidomos Islanda që ka një shpirt gare të jashtëzakonshëm dhe mendoj se ata do jenë rivalët tanë./telesport/