Sot luheshin pesë takimet e javës së 34-t të Kategorisë Superiore. Ishte një javë me emocione duke parë përballjet delikate për skuadrat e vendeve të fundit, aty ku është fokusuar i gjithë kampionati pasi Skënderbeu tashmë e ka siguruar kampionatin dhe Kukësi vendin e dytë.

Partizani, Laçi dhe Luftëtari luftojnë për vendin e fundit që të çon në Europë.

Skënderbeu i pamotivuar ka pësuar një humbje 3-1 ndaj Teutës brenda në shtëpi  dhe durrsakët thuajse e kanë siguruar qëndrimin falë golave të Shkallës, Cyrbja dhe Amadu edhe për një vit tashmë pasi kanë një diferencë prej pesë pikësh me dy ndeshje të mbetura.

E njëjta situatë është edhe për Kamzën, e cila ka mposhtur Flamurtarin me rezultatin e ngushtë 1-0 me golin e vetëm të takimit të shënuar nga Sabino Plaku.

Vllaznia është humbësja e madhe e kësaj jave, teksa luante me Partizanin që lufton për të shkuar në Europë, veriorët kanë pësuar humbjen e 16-të të sezonit dhe vetëm një mrekulli i shpëton për të qëndruar në Superiore.

Lufta do të jetë shumë e fortë deri në javën e fundit për sa i përket vendit të tretë, me Luftëtarin që barazoi në fund ndaj Kukësit dhe tashmë ka një avantazh prej tre pikësh ndaj Partizani dhe Laçi që janë me pikë të barabarta.