Skënderbeu nuk gjen qetësi me lojtarët brazilianë përgjatë merkatos. Madje, afrimet dhe largimet e tyre nga klubi u ngjajnë shfaqjeve me maska, karnavaleve, ku protagonistët nuk kanë mundësi të tregojnë fytyrën reale.

Brenda së njëjtës dritare transferimi, bardhekuqtë kanë afruar dy dhe kanë larguar sërish po të njëjtët lojtarë brenda një periudhe shumë të shkurtër.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se pas Murilo Rosës ka qenë radha e Bruno Riterit që të largohet nga Skënderbeu, mesfushori brazilian i afruar me bujë te korçarët, si një alternativë e mirë për sa i përket mesfushës.

Por, ai nuk ka bindur aspak drejtuesit e Skënderbeut, të cilët pasi e kanë parë në disa seanca stërvitore, kanë dalë në konkluzionin se lojtari në fjalë nuk ishte gati nga ana cilësore për të veshur fanellën bardhekuqe.

Forma e tij ishte tejet e dobët sa që nuk premtonte asgjë. Për këtë, klubi i ka prishur kontratën lojtarit duke e lënë të lirë dhe duke hapur kështu një vend për një tjetër futbollist që mund të përmbushte kërkesat e trajnerit Migen Memelli.

Kjo është hera e dytë që Skënderbeu bëhet pishman për lojtarët që afrohen në merkato, pasi nuk përmbushin pritshmëritë.