Prej pedonales në hyrje të qytetit, dyshja e mirënjohur e atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Izmir Smajlaj- Vildan Tufi, tashmë stërvitet në betonin e pistës së stadiumit “Loro Boriçi”. Megjithatë objektivat e kësaj dysheje nuk ndryshojnë. Synimi i rradhës për ta është suksesi në kampionatin Ballkanik dhe atë europian që do të zhvillohen këto ditë në Beograd. Atleti Smajlaj është i bindur se edhe në këto aktivitete do të ketë rezultate të larta e këtë gjë e deklaron edhe në prononcimin e tij për “SHKODRA SPORT” kur deklaron:

“Forma ime në këto momente mendoj se është shumë e mirë. Fakti që në garat e para të këtij viti, ato të zhvilluara në Elbasan pak ditë më parë, arrita të kërcej plot 52 cm më shumë sesa një vit më parë, tregon se ka progres. Për këtë arsye, në garat e Kampionatit Ballkanik që do të zhvillohen pas pak ditësh në Beograd, sigurisht që do të tentoj të shpallem Kampion i Ballkanit. Më pas, do jetë pjesmarrja në Kampionatin Europian po në Beograd ku patjetër do jem në mes finalistëve dhe do të tentoj një rezultat sa më të mirë”. Edhe trajneri Vildan Tufi ka shumë besim tek suksesi. Besim që ai e beson tek puna që po bëhet në stërvitje dhe tek forma që ky atlet ka aktualisht. “Forma e Izmirit është shumë e mirë. Kemi punuar fort gjatë kësaj periudhe, me nga dy dhe tre seanca në ditë dhe tashmë jemi në prag të garave të rëndësishme në të cilat jam i bindur se ai ka për ta treguar veten duke u renditur në mes më të mirëve”- është shprehur ai.Viti 2016 ka qenë shumë i mbarë për Smajlajn megjithatë për këtë vit duket se premisat janë për të tjera rezultate të larta, për rekorde kombëtare por edhe me medalje në arenën ndërkombëtare.

© shkodrasport.com