Atletika në Klubin Vllaznia ka qenë dhe është vërtetë “mbretëresha” e sporteve. Tituj të shumtë kampionë, rekorde të thyera e sportistë të nivele të larta. Të gjithë këto suksese kanë ardhur edhe falë punës së shkëlqyer që kanë bërë në vite trajnerë të ndryshëm.

Njëri ndër ta padyshim që është edhe Isak Bala. Nga puna e tij plot pasion e përkushtim, kanë dalë sportistë që jo vetëm kanë dalë kampionë në garat respektive por edhe kanë thyer rekorde. U ndalëm sot tek ky personazh ngaqë ka ditëlindjen, feston 77 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Po kush është në fakt Isak Bala? Ka lindur në Shkodër më 05.03.1945. sportin e atletikës e ka filluar që në vitin 1960 duke u stabilizuar tek gara e kërcimit së gjati, ajo e trehapëshit dhe e 110 m/ p. Trajneri i tij i parë fillimisht ka qenë Ibrahim Dizdari e më pas Gjon Canaj.

Karriera sportive e Isakut do të vazhdonte deri në vitin 1974 dhe rezultatet më të mira që ka arritur gjatë saj ka qenë kërcimi i 14.40 m në trehapësh dhe 6.82 në garën e kërcimit së gjati. Ka zënë vende të para në disa gara të ndryshme të zhvilluara në atë periudhë në vendin tonë.

Pas lënies së sportit, do të niste punën si trajner. Pikërisht në vitin 1976. Po atë vit do të merrte pjesë në disa gara edhe si gjyqtar.

Nga viti 1976 dhe deri më 2013, pra për plot 37 vjet, i ka dhënë jo pak klubit Vllaznia dhe atletikës shqiptare. Nga duart e tij kanë dalë thuajse të gjithë kampionët dhe rekordmenët e garave të shpejtësisë. Duke filluar nga Oltion Luli, Arben Makaj, Niko Laro, Sokol Shepeteja, Arben Parmeza, Alban Dani, Fatjon Serhati, Gentjan Shpuza, Besnik Bala, Edmir Dervishi dhe për të mbërritur deri tek dy të fundit, Ardit Rrashi dhe Durjon Idrizaj.

Në vitin 2000 bashkë me Oltion Lulin ka qenë pjesmarrës në Olimpiadën e Sidnejt në Australi. Gjatë kësaj periudhe, duke qenë pjesë e trajnerëve të Vllaznisë bashke me dy te medhenjte e tjere, Gezim Memen dhe Vildan Tufin, ka arritur të fitojë plot 16 tituj kampion me të si ekip.Po ashtu, ka fituar edhe dy tituj kampion në kampionatet ekipore të zhvilluara gjatë këtyre viteve.
Gjergj KOLA