Partizani është kampioni i huazimeve në dekadën e fundit në Kategorinë Superiore. Që nga sezoni 2013-’14 të kuqtë kanë huazuar plot 16 lojtarë dhe sezoni i vetëm kur kanë dalë nga “tradita” është ai 2020-’21, kur nuk kanë bërë asnjë huazim.

Në verën e atij sezoni të kuqtë e kishin merkaton e bllokuar dhe nuk mund të bënin asnjë transferim. Në të gjitha edicionet e tjera të kuqtë kanë bërë minimalisht një transferim borxh, ashtu siç bënë këtë edicion me Edison Ndrecën për ndeshjet e Ligës së Konferencës. Rekordin absolut të kuqtë e kanë në sezonin e shkuar, kur kishin plot katër lojtarë të huazuar.

Tregu italian është më i parapëlqyeri me plot tetë lojtarë të huazuar nga 16 gjithsej. Emrat më të suksesshëm me fanellën e kuqe janë padyshim Kaleb Ekuban apo Mentor Mazrekaj, i cili pas periudhës së huazimit firmosi me “demat”.

Ndërkohë, ganezi është padyshim një nga sulmuesit e huaj më të mirë që kanë luajtur ndonjëherë në Superiore. Nga ana tjetër pjesa më e madhe janë dështime. Huazimet janë një praktikë që mund të të zgjidhë punë në një rast, por në masën e Partizanit, mund të shkaktojë edhe probleme me vazhdimësinë.

Një nga shkaqet që klubi bën revolucione çdo vit është edhe shkaku se drejtuesit kanë menduar për këto zgjidhje të shpejta dhe të përkohshme. Tashmë fatmirësisht strategjia ka ndryshuar dhe duket se po mendohet për më larg se sezoni aktual. Aktualisht Partizani nuk ka asnjë lojtar të huazuar.