Shënoi një gol që pati vlerën e kualifikimit dhe evitoi që ndeshja të shkonte në shtesë. Arsen Hajdari është më shumë se i lumtur që ishte ai protagonisti i këtij 90-minutëshi. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, tregon se për të parën herë në karrierë ka realizuar nga mesi i fushës.

“Nuk kishte ndodhur më parë të shënoja një gol nga ajo distancë dhe normalisht është një emocion i veçantë për mua. Ka për të mbetur gjithnjë në memorien time, duke parë edhe rëndësinë e ndeshjes. Më vjen mirë që ky gol në njëfarë mënyre na dha edhe kualifikimin më tej”, tha fillimisht sulmuesi i Besëlidhjes.

Shkodrani e pranon se nuk ishte e lehtë, por në fund të fundit e shijuan çdo minutë deri në fund. “Edhe pse e dinim që e kishim të vështarë si ndeshje, luajtëm mirë dhe pa pikë presioni. Ndoshta kjo bëri që t’ia dilnim në fund dhe të shkonim më tej”, theksoi 30-vjeçari.

Nuk kishte si të mos fliste për kundërshtarin që do të hasin në çerekfinale. “Ka kohë deri atëherë, por do të hyjmë të bëjmë lojën tonë si ndaj Partizanit”, përfundoi Hajdari.