Pas ndeshjeve të Kupës (që u luajtën në mesjavë), rikthehen sot në fushë skuadrat e Superiores për të zhvilluar ndeshjet e javës së 24-t të kampionatit. Dy sfida të kësaj jave do të zhvillohen ditën e sotme, ndërsa të hënën do të luhen tre takimet e tjera, ku padyshim spikat përballja mes Partizanit dhe Tiranës, që do të masin forcat në një përballje direkte për kreun e renditjes në derbin e madh të kryeqytetit.

Një sfidë shumë interesante do të zhvillohet sot në orën 13:00 në “Adush Muça”, aty ku Bylisi vendas do të sfidojë Erzenin. Mallakastriotët kanë nevojë jetike për pikë, që ti largohen zonës së ftohtë që të çon në kategorinë inferiore. Bylisi synon të lërë pas krahëve humbjen e javës së kaluar përballë Egnatias, duke synuar rikthimin te fitorja në sfidën e sotme përballë Erzenit. Edhe miqtë nuk po kalojnë ditët e tyre më të mira.

Shijakasit kanë 4 javë që nuk fitojnë (3 pikë të grumbulluara në këto takime) dhe tashmë kanë filluar të ndiejnë presonin e skuadrave që renditen poshtë tyre në klasifikim. Erzeni synon kthesën në transfertën e sotme në Ballsh, që të ngjiten në zonën e lartë të renditjes.

Në ndeshjen tjetër të ditës Egnatia do të përballet me Kastriotin në Rrogozhinë. Vendasit po kalojnë një moment të mirë dhe sot synojnë një tjetër fitore që ti afrohen akoma më shumë zonës europiane. Miqtë nga Kruja morën një trepikësh të artë në Shkodër përballë Vllaznisë një javë më parë dhe sot synojnë një tjetër sukses që të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë.