Këshilli Bashkiak i Tiranës muaj më parë miratoi propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për të shpërblyer me 150 milionë lekë (të vjetër) lojtarët e ekipit të futbollit të Tiranës, të cilët u shpallën kampionë të Shqipërisë këtë vit. Së fundmi, organi vendimmarrës i kryeqytetit ka publikuar edhe listën me përfituesit e shpërblimit të titullit. Janë 150 milionë lekë, ku më shumë se 135 milionë lekë u janë shpërndarë lojtarëve dhe stafit teknik, ndërsa një pjesë e vogël stafit administrativ.

MË TË SHPËRBLYERIT – Taulant Seferi, braziliani Devid, që ka ikur dhe Visar Bekaj janë lojtarët që morën shpërblimin më të madh nga bashkia. Kështu, golashënuesi i sezonit të shkuar ka marrë 1,797,235 lekë shpërblim. Devid dhe Bekaj nga 1,258,065 lekë. Më pas vijnë Ilion Lika, Kristijan Toshevski, Filip Najdovski, Enur Totre dhe Vesel Limaj. Shpërblimet më të ulëta shkojnë deri në 30 mijë lekë dhe i kanë marrë lojtarët e rinj.

STAFI – Për sa i përket stafit teknik, në krye është drejtori teknik, Tefik Osmani, me 726,100 lekë. Më pas trajneri Orges Shehi me 599,078 lekë, trajneri i atletikës Kosta Jani, Kristi Vangjeli trajneri i dytë dhe me radhë. Për sa i përket stafit joteknik, Këshilli Bashkiak ka paguar 1,331,742 lekë për gjashtë vetë. Siç shihet, pjesa më e madhe e parave janë ndarë për zonën teknike apo sportive të skuadrës.

SHPËRBLIMET – Tirana është skuadra milionere e Superiores pasi nga sezoni 2020-2021 ka fituar rreth katër milionë euro, para të ardhura prej lojtarëve të shitur në klube të tjera, para të Europës dhe ato nga titulli prej federatës. Një skuadër milionere, por që ka humbur edhe plot para në gjyqe të ndryshme. Gjithsesi, bardheblutë janë skuadra më e suksesshme e Superiores për sa u përket arkëtimeve.

SHITJET E LOJTARËVE – Në tri sezonet e fundit, Tirana ia ka dalë të shesë gjashtë lojtarë titullarë. Arkëtimi më i madh është nga Ernest Muçi, që u shit për 500 mijë euro dhe më pas Seferi, Totre dhe Çelhaka. Gjithsej nga lojtarët, sipas të dhënave publike, janë arkëtuar 1,670,000 euro. Një shifër goxha e mirë për Superioren në tri vjet.

UEFA – Zemra e luanit të përfitimeve vjen nga Europa. Për dy paraqitjet e fundit, Tirana ka grumbulluar më shumë se 2,190,000 euro, ndërsa nga FSHF-ja ka marrë 160 mijë euro. Një shumë goxha e madhe për Tiranën që vetëm nga dy zërat, titull dhe Europë, ka grumbulluar 2,190,000 euro. Në total janë 3,860,000 euro të arkëtuara. Këtu nuk futen shpërblimet e FSHF-së, ato të Këshillit Bashkiak, biletat apo e drejta televizive.