Partizani do të presë në shtëpi Vllazninë për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet ditën e diel në stadiumin “Arena e Demave”, do të startojë në orën 20:00.

Një sfidë mjaft interesante, ku ekipet futen në fushë për të ‘luftuar’ për 3 pikët. Fitorja e Vllaznisë do t’i ‘mobilizonte’ ata në vendin e dytë, ndërsa ‘Demat’ do të barazonin me pikë shkodranët në rast fitoreje.

Por një plus për ekipin e Partizanit në këtë supersfidë mund të jetë edhe Orges Shehi. Trajneri i ‘Demave’ gjatë karrierës së tij në këtë pozicion, ka një të shkuar mjaft pozitive përballë shkodranëve.

Në 13 ndeshje të zhvilluara ndaj Vllaznisë si trajner, Shehi ka humbur vetëm 2 dhe ka barazuar 4. Ndërsa në plot 7 ndeshje të tjera ka qenë fitimtar. Një ‘armë’ plus për Partizanin, me teknikun 46-vjeçar që mesa duket i di pikat e dobëta të kuqebluve./newsport/