Dëmtimi i lojtarëve gjatë ndeshjeve të kombëtareve është një prej problemeve më të diskutuara dhe që ka shkaktuar debate të shumta në botën e futbollit. Rasti më i fundit vjen nga ylli i Romës, Nikolo Zaniolo.

Tetë muaj pas dëmtimit të parë, 21- vjeçari pësoi një tjetër dëmtim të rëndë gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve, Holandë-Itali. Ndërkohë nuk përjashtohet mundësia e një padie nga ana verdhekuqve ndaj UEFA-s.

Por le të shikojmë se si funksionojnë dëmshpërblimet që FIFA dhe UEFA u bëjnë klubeve në raste të tilla. Në rregulloren e FIFA-s parashikohet që çdo klub duhet t’i ketë të siguruar lojtarët, e më pas FIFA apo UEFA bëjnë edhe dëmshpërblimet në rast se futbollistët dëmtohen në ndeshjet e kombëtareve.

Shuma maksimale që mund të paguajë FIFA për një lojtar të dëmtuar shkon deri në 7.5 milionë euro. Para këto që shkojnë për skuadrën që ka në pronësi lojtarin. Por këtu ka një ngërç të madh, pasi ka lojtarë që mund të vlejnë shumë herë më tepër.

Pasi nëse dëmtohet në kombëtare një lojtar si Kristiano Ronaldo apo Mesi, 7.5 milionë euro dëmshpërblim janë shumë pak. Ndërsa një tjetër problem është fakti që ky program për mbrojtjen e lojtarëve mbulon në vlerën e tij maksimale 80 milionë euro në vit.

Pra nëse dëmtohen 10 lojtarë që vlejnë 7.5 milionë dëmshpërblim, për të 11-in nuk ka më para për të rimbursuar klubin. Në këtë rast pritet që klubi të kërkojë një dëmshpërblim të drejtpërdrejtë dhe jo të mbuluar në sistemin e siguracioneve ndaj UEFA-s apo FIFA-s.