Pas Hamdi Salihit dje, sot ka qenë rradha e një shkodrani tjetër për të shënuar një dygolësh. Bëhet fjalë për Armando Vajushi që ka shënuar një dopietë duke kontribuar në fitoren e thellë 5-1 të Liteksit ndaj ekipit Botev Vratsa. Golin e parë ai e ka shënuar në minutën e 31-të të ndeshjes duke e çuar rezultatin në 2-0. Pjesa e parë e këtij takimi të vlefshëm për kampionatin bullgar të futbollit është mbyllur në shifrat 3-1 për skuadrën ku luan mesfushori shkodran.


Në pjesën e dytë ndërkohë, Vajushi që vinte pas disa minutash të luajtura në mesjavë edhe me kombëtaren shqiptare ndaj Lituanisë, ka shënuar edhe golin e tij të dytë personal në minutën e 65-të , gol ky që mbylli krejt ndeshjen. Me këtë fitore Liteksi është ngjitur në kuotën e 39 pikëve duke forcuar pozitat e tij në vendin e tretë në renditje ndërkohë që me dy golat e sotëm, Armando Vajushi është ngjitur në kuotën e 9 golave të shënuar këtë sezon me Liteksin në kampionat ndonëse luan si mesfushor krahu, çka tregon se ai është shndërruar në një protagonist shumë të rëndësishëm për këtë skuadër dhe për trajnerin Hristo Stoiçkov.
Gjergj KOLA