Atletët e Vllaznisë kanë dominuar në disiplinat e tyre të zakonshme, ato të garave të shpejtësisë dhe kërcimeve. Kështu, vlen për t’u përmendur rezultati i atletit Erdi Duka që në garën e kërcimit së gjati ka kërcyer 6.72-metra, duke marrë vendin e parë në këtë disiplinë.

Për këtë arritje të tij, ka folur edhe vetë atleti i kuqebluve. Ai theksoi se pavarësisht disa vështirësive në këtë fillim viti si pasojë e një dëmtimi, ia doli mbanë të marrë suksesin e parë për 2023. Gjithashtu, Duka theksoi se do të zëvëndësojë shumë shpejt rekordmenin tjetër shkodran, Izmir Smajlaj.

“Rezultati është premtues, por pritshmëritë e mia janë më të larta. Kjo nuk diskutohet. Kjo ishte edhe gara e parë për këtë vit pas një dëmtimi që pata në shpinë, por besoj se në garat e tjera do jem edhe më mirë dhe pritshmëritë e mia do jenë më të larta.

Shkodra ka nxjerrë shumë kërcyesa për së gjati, duke filluar tek vajzat si Erisa Rrasa. Tek djemtë Izmir Smajlaj, Gledis Halluni, Admir Bregu, Muhamet Çengeli dhe shumë me rradhë. Besoj se edhe unë herët apo vonë do jem në podium. Normalisht që, synimi im për të ardhmen është që të thyej rekordet që janë nga Izmir Smajlaj. Eshtë një rekord shumë i fortë, por me punë besoj se do ta arrij.

Pasioni im si fëmijë ka qenë futbolli në fillim, por me dëshirën e madhe të profesor Vildan Tufit që ka ndërruar jetë, mbeta këtu, sepse ma bëri atletikën një gjë shumë të bukur dhe tërheqëse. Në vazhdim pastaj mbeta në atletikë. Jam shumë i kënaqur në fakt, sepse me rezultatet për moshën që kam jam shumë mirë, ndërsa vëllai është me futbollin, sikur babai”,-mbylli prononcimin e tij atleti i Vllaznisë, Erdi Duka.
Maringlen ZHIVANI