Vllaznia në atletikë për meshkuj u shpall fituese e Kupës së Shqipërisë për vitin 2023, në garat e të rriturve të zhvilluara ditën e djeshme në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”. Edhe pse në kushte atmosferike jo të mira, atletet pjesëmarrës janë munduar të bëjnë më të mirën e tyre dhe nuk kanë munguar rezultatet pozitive.

Sa i takon atletëve shkodranë, spikat si zakonisht Franko Burraj që ka zënë vendet e para në garat e 200 dhe 400-metrave. Pas këtij suksesi në garat e Kupës së Shqipërisë, atleti shkodran ka folur edhe në një prononcim për mediat.

Burraj u shpreh se është mjaft i kënaqur pas këtij suksesi, ndërsa theksoi se rezultati që arriti është shumë premtues për garat e ardhshme. Poashtu, atleti shkodran shtoi edhe faktin se bashkëpunimi me trajnerin Bruno Rrotani është shumë i mirë dhe shumë pozitiv, teksa premtoi të tjera suksese në vazhdim.

“Jam i kënaqur pas këtij suksesi, ngaqë vinim nga një stërvitje e fortë. Kështu që, rezultati ishte shumë i mirë dhe premtues. Kemi garat e ardhshme. Natyrisht, kemi garën e 1-majit që do të tentojmë të jemi afër rekordit të 100-m. Kështu që, do të shikojmë garat e ardhshme.

Më shumë ishte një test i rradhës dhe një ditë stërvitore. Tani të shohim në garat e ardhshme. Gara 100-m ishte vetëm garë testuese dhe nuk kishte matës elektronik. Kështu që, do të tentojmë me datën 1-maj të jem gati për garën e 100-m dhe të përmirësoj rezultatin.

Absolutisht, edhe bashkëpunimi me trajnerin Bruno Rrotani është shumë i mirë. Kështu që, premtojmë që vitet e ardhshme do të jemi edhe më mirë”,-mbylli prononcimin e tij atleti shkodran, Franko Burraj.
Maringlen ZHIVANI