Pesë ndeshje, pesë fitore, kjo është ecuria e shkëlqyer e ekipit të basketbollit të të rinjve të Vllaznisë. Një ecuri që padyshim e bën atë pretendentin kryesor për fitimin e titullit kampion. Sivjet duket se gjërat po shkojnë mirë për këtë ekip që po tregon një formë shumë të mirë.

Padyshim që kjo është meritë e të gjithë lojtarëve dhe në veçanti e basketbollistit Elian Memçaj i cili është edhe lideri i këtij ekipi. Përvoja që ai tashmë po fiton duke u stërvitur por edhe duke luajtur me ekipin e parë, po shfrytëzohet si duhet edhe tek moshatarët e tij ku bën diferencën, për rrjedhojë kanë ardhur edhe këto rezultate.

Vllaznia e basketbollit të të rinjve e nisi mbarë kampionatin duke mundur në ndeshjen e parë një nga rivalet e saj kryesore, pikërisht ekipin Superior Klima me rezultatin 78-69 në ndeshjen e luajtur në Shkodër. Në javën e dytë ndërkohë mundi Dinamon në Tiranë me shifrat 77 me 70 ndërsa në javën e tretë fitoi sërish në “Qazim Dervishi”, këtë herë ndaj Elbasanit me shifrat e thella 82 me 40.

Në javën e katërt tjetër sukses në transfertë ndaj ekipit privat Adria Ferries në shifrat 69 me 37, më pas ka fituar edhe në Tiranë ndaj ekipit Horizont Basket me rezultatin 85 me 32. Në këtë mënyrë me 5 fitore në po kaq ndeshje të luajtura, ekipi i drejtuar nga trajneri Fatjon Halluni ndodhet në krye të renditjes me pikë të plota 10, po aq sa edhe Kamza, ekipi kampion në fuqi i vendit.

Rivaliteti për titullin kampion duket se do të jetë me këtë ekip deri në fund por nuk përjashtohet mundësia që në garë të futen edhe ekipe të tjera. Megjithatë kuqeblutë duken të vendosur për të bërë një prezantim sa më të mirë sivjet dhe për të synuar deri në fund fitimin me çdo kusht të titullit kampion.
www.shkodrasport.com