Skuadra shkodrane është bashkuar e gjitha sot në stërvitje duke zhvilluar e plotë të parën seancë stërvitore për vitin 2020. Themi e para, por këtu e kemi fjalën për të gjithën sepse siç dihet, lojtarët shkodranë i kanë nisur ato që me 2 janar e po ashtu edhe të tjerët kanë zhvilluar stërvitje invididuale.

Por gjithsesi, stafi “nuk u ka besuar lojtarëve”. Trajneri Jonuz në të fundit seancë të vitit që shkoi i kishte kërkuar mjekut Zyhdi Çoba që t’i kalonte në peshore të gjithë lojtarët dhe kështu ka ndodhur.

Por ndërkohë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe sot. Mjeku Çoba përpara se futbollistët të dilnin në fushën e Golemit, janë thirrur në dhomat e zhveshjes prej tij dhe sërish i ka vënë në peshore.

Kuptohet që ka dashur të shohë ndryshimet dhe për të konstatuar nëse ata kanë bërë abuzime me ushqimin gjatë periudhës së festave.

Nga sa u mësua, gjendja duket përgjithësisht e mirë dhe futbollistët me ndonjë përjashtim të vogël, kanë qenë thuajse të gjithë brenda normave të lejuara.

Kuptohet që të dhënat e peshores mjeku Çoba do t’ia kalojë më pas trajnerit Jonuz por ky i fundit edhe në kontaktin e tij të parë që ka patur me futbollistët, i ka pyetur secilin për atë se çfarë kanë bërë gjatë këtyre ditëve.

Futbollistët shkodranë në fakt kanë qenë më në kontroll sepse deri më 31 dhjetor kanë qenë çdo ditë në stërvitje bashkë me dy zëvendëstrajnerët Osja e Lekiqi dhe po ashtu janë rikthyer sërish më 2 janar.
© shkodrasport.com