Skuadra shkodrane e basketbollit për meshkuj nuk ka mundur të bëjë dot asgjë për ta fituar ndeshjen ndaj Kamza Basket e luajtur sot pasdite në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës. Kjo ndeshje ka qenë e prapambetur për javën e shtatë të kampionatit ngaqë ajo ishte për t’u luajtur të shtunën që shkoi por për arsye atmosferike u pat shtyrë. Në takimin e sotëm, që në periodën e parë u vërejt dominimi i basketbollistëve të Kamzës. Ata e mbyllën 10 minutëshin e parë në shifrat 22-9 në favor të tyre. Kaq mjaftoi për të kuptuar se Vllaznia e trajnerit Gjeçaj do ta kishte të vështirë për të kërkuar fitoren në këtë ndeshje. Kjo u pa pastaj edhe në periodën e dytë ku epërsia e miqve erdhi duke u rritur dhe në këtë periodë sërish dominuan ata në shifrat 21-14. Me 20 pikë diferencë në gjysmën e ndeshjes, kishte shumë pak shanse që djemtë e trajnerit Bledar Gjeçaj të reagonin. Për pasojë, ata humbi edhe periodën e tretë 13-16 dhe vetëm në të katërtën kanë korigjuar diçka duke e fituar atë 18-16, por shumë pak për të penguar humbjen e krejt ndeshjes në shifrat 54-75. Megjithatë, përballja me ekipin Kamza Basket dhe humbja ndaj tij ka qenë në njëfarë mënyre e pritshme ngaqë ky është ndër ekipet më të mira të kampionatit ndërkohë që Vllaznia mban vendin e tretë në renditje dhe duket komode në zënien e një vendi që do ta çojë atë në play-off.

www.shkodrasport.com