Vllaznia dhe Partizani kanë zhvilluar një ndeshje shumë interesante pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe në fund kanë qenë kryeqytetaset që kanë triumfuar me rezultatin 3-2.

Seti i parë është fituar nga Partizani në shifrat 25-19. Kryeqytetaset luajnë më mirë, e kontrollojnë gjatë gjithë kohës lojën dhe për rrjedhojë udhëheqin nga fillimi e deri në fundin e këtij seti.

Edhe i dyti nis në të njëjtën mënyrë megjithatë Vllaznia reagon por përsëri në fund javë vajzat e kuqe që tregohen më të sakta dhe për këtë arsye e fitojnë edhe këtë set, me shifrat 25-21.

Duket se ndeshja do të mbyllej shpejt por nuk do të ndodhte kështu. Vllaznia “zgjohet” dhe fiton setin e tretë 25-21. Kjo gjë u jep zemër vajzave shkodrane që fitojnë edhe setin e katërt 25-22 dhe në këtë mënyrë numri i seteve barazohet në 2-2 duke e çuar ndeshjen në set final.

Ky i fundit shoqërohet me rivalitet në fillim por më pas është Partizani që tregohet më i saktë, falë edhe kualiteteve që ka në përbërje dhe e fiton këtë set 15-12 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.
© shkodrasport.com