Ndeshja e nesërme ndaj Dinamos konsiderohet shumë e rëndësishme për Vllaznisë. Asaj nuk i falet asnjë gabim tjetër në rrugën e saj dhe sidomos në ndeshjet në Shkodër. Pavarësisht se përballë saj do jetë Dinamo, skuadra e vendit të fundit në renditje, sërish shkodranët e kanë vlerësuar seriozisht këtë ndeshje. Trajneri Vata ka vazhduar me të njëjtin temp punën e tij me skuadrën duke i parapërgatitur për një sfidë të vështirë ndaj bluve. Ajo që të bën përshtypje është entuziasmi me të cilën dinamovitët e kanë parapërgatitur këtë ndeshje. Në deklaratat e secilit pjestar të kësaj skuadre shquhet dëshira për të marrë fitoren në “Loro Boriçi”. Kjo do të thotë se ata kanë besim për një fitore në këtë ndeshje por ky besim i tyre duhet t’i karikojë edhe më shumë kuqeblutë sepse pozitat e tyre në renditje nuk janë shumë të mira. Me vetëm 14 pikë të grumbulluara në 11 ndeshje kampionat, ka një mesatare që lë për të dëshiruar. Dhe të mos harrojmë që javën e fundit të kësaj faze, ata do të udhëtojnë drejt Peqinit ku mundësia për të marrë pikë është e vogël. Prandaj Vllaznia duhet të fitojë patjetër nesër ndaj Dinamos.