Opinion nga Uliks KOTRRI

Po lexoj e dëgjoj të shkruhet e thuhet shumë për merkaton e Vllaznisë. Idetë janë nga më të ndryshmet. Ka njerëz që mendojnë se më mirë është të besohet tek të rinjtë shkodranë, të tjerë që thonë se duhen blerë lojtarë. Unë  them që duhet gërshetuar mirë kjo gjë në mënyrë të kujdesshme të dyja se çdo i ri sado talent të jetë, ka nevojë për krahë të nxehtë pas shpine. Domethënë,të ketë dikë afër ta drejtojë,t’i japë zemër etj. Kjo sepse për vetë faktin që luajmë në kampionat shqiptar e dihet jashtë fushave çfarë ndodh. Mendoj se është shumë pozitive që t’i jepet dora të rinjve në maksimum, por nuk mund të nxjerrësh më shumë se një ose maksimumi du lojtarë të talentuar çdo vit. Këtë nuk e arrin as Barcelona por po merr lojtarë edhe nga merkatoja. Ku do t’i gjejë lojtarët Vllaznia? Unë them të shihet kudo e më gjthkënd që ka qejf të vijë tek Vllaznia. Dera duhet të jetë e hapur për të gjithë lojtarët dhe për të gjithë menaxherët që premtojnë të sjellin futbollistë. Kjo për vetë faktin se oferta është shumë e vogël për me marrë lojtarë cilësorë, plus edhe vendi ku lozin sepse Shqipëria nuk preferohet shumë prej lojtarëve të mirë. Për të gjetur lojtarë të mirë duhet fat prandaj them, e mira është me kërku shumë e me gjetë pak lojtarë cilësorë që t’i shërbejnë ashtu siç duhet Vllaznisë. Tjetër pyetjte që diskutohet shpesh është: Ma mirë futbollistë ballkanas apo afrikanë e brazilianë? Unë personalisht them se nuk duhet të ketë diferencime. Ça të jetë cilësor, të vijë, nuk duhet të ketë problem kombësia e tyre. E rëndësishme është veç t’i shërbejnë objektivave të ekipit. Vllaznia ka zgjedhur njerëzit e duhur për ta bërë këtë gjë sepse mendoj që stafi përzgjedhës me Grimën e Vatën i ka njohuritë e duhura. Them se ata do dinë të bëjnë zgjedhjet e duhura sepse kanë eksperiencën e syrin për këtë punë, meqë kanë kalu shumë ekipe dhe kanë shumë përvojë në fushat e futbollit.