Pas rikthimit të Stela Kirit nga Skënderbeu dhe rinovimit të kontratën me volejbollisten me përvojë Esmeralda Tuci, drejtuesit e Vllaznisë kanë bërë një tjetër goditje në merkato.

Ata kanë firmosur një kontratë njëvjeçare me volejbollisten e talentuar lezhjane Sara Hasku. 22 vjeçarja është njëkohësisht edhe lojtare e ekipit tonë kombëtar.

Sara Hasku ka nisur të luajë me të rriturat që në moshë të vogël duke iu bashkuar ekipit “Barleti Voley” me të cilin luajti për tre sezone me rradhë. Më pas ka kaluar tek Partizani, ndërkohë që në sezonin 2018-2019 ka luajtur në Zvicër me ekipin “Volley Lugano” që merrte pjesë në Seria A të këtij vendi.

Rikthehet sërish në Shqipëri për t’iu bashkuar Partizanit me të cilin luajti në sezonin 2019-2020, ndërsa në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e ekipit “Huqi volley”.

Ndërkohë tashmë ka mbërritur në Shkodër për t’iu bashkuar Vllaznisë, pas ofertës që i ka bërë presidenti Zekja. Ajo i është bashkuar prej disa ditësh ekipit duke u vënë në dispozicion të trajnerëve Dorian Tafa e Ferdinand Bardeli.

Volejbollistja lezhjane pritet të jetë një element i rëndësishëm për Vllazninë e sezonit të ri bashkë edhe me pjestaret e tjera të ekipit./SHKODRA-SPORT.COM/