Tradita e titujve kampionë për ekipin e meshkujve të Vllaznisë në garat e krosit kombëtar, vazhdon. Edhe në garat e këtij viti që janë zhvilluar në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, ka rënë në sy dominimi i atletëve shkodranë. Kështu, në garën e të rriturve, Vllaznia si ekip i ka lënë pas gjithë ekipet e tjera dhe ka zënë vendin e parë duke u shpallur kampione edhe për këtë vit. Si individ ndërkohë, Bledar Mesi ka zënë vendin e dytë, ndërsa Xhaneto Zefi të tretin në garën e 12 km. Por ajo që spikat është edhe paraqitja e Griselda Krymit në garën e të rriturave 8 km, teksa është renditur në vend të dytë duke u shpallur nënkampione e vendit. Pritet që këta tre sportistë të jenë pjesë e ekipit kombëtar që mendohet të marrë pjesë në Krosin Ballkanik që zhvillohet në muajin mars. Kësisoj pas paraqitjes së mirë të atletëve shkodranë në garat e kampionatit të sallave të mbyllura që u zhvillua më 25 janar, vjen një tjetër paraqitje shumë e mirë e tyre dhe mbi të gjitha, trofeu i parë për këtë vit. Dhe natyrisht jo i fundit sepse shumë të tjerë e presin në garat e ardhshme.

www.shkodrasport.com