Nga Mejdan ZHIVANI

E lindur në Mirditë, e rritur në Tiranë, bën karrierë në Francë. Kështu mund të cilësohet jeta e njërës prej volejbollisteve më të mira të viteve të fundit të Shqipërisë, Arjola Prenga. Ajo ka spikatur në kampionatin shqiptar, derisa iu bë realitet kalimi në kampionatin francez duke qenë pjesë e skuadrës Tërvilë Floronzhë. Nuk është nga skuadrat më të mira të këtij kampionati por e rëndësishme është që ajo është liderja e saj duke u vlerësuar shpesheherë si ndër më të mirat e ndeshjeve të zhvilluara. Për të mbërritur deri tani, kësaj sportisteje në fakt i është dashur të kalojë një rrugë të gjatë, mes shumë vështirësish. Pavarësisht këtyre fakteve, Arjola ka këmbëngulur në të qenit një sportiste profesioniste, duke dhënë maksimumin e saj në çdo takim. Kjo ka bërë që loja e saj të spikasë në çdo ndeshje dhe duke u shndërruar praktikisht në lojtaren më të mirë të skuadrës, pavarsisht 11 humbjeve të pësuara dhe vetëm 3 fitoreve të arritura në këto 14 javë kampionat. “Unë bëj punën time si sportiste, pa parë rreth e rrotull, dhe kjo më ka ndihmuar të jem në kulmin e formës”, – shton ajo me modesti. Natyrisht, pavarsisht gjendjes së skuadrës së saj në vendin e parafundit të renditjes, loja e Prengës nuk ka kaluar pa u vënë re nga skuadrat e tjera dhe, sipas gjasave, ajo do të mbetet edhe sezonin tjetër në volejbollin francez, por jo me TFOC-në. “Jo, jo, – nxiton të thotë Arjola. – Unë jam pjesë e Tervilë Floronzhë dhe do të jap maksimumin tim për këtë skuadër deri në pikën e fundit të këtij sezoni. Unë kam një kontratë njëvjeçare me këtë skuadër dhe do ta respektoj atë deri në fund. “A ka patur sinjale nga skuadra të tjera? – vijon ajo. – Me kënaqësi mund të them që kam patur, por nuk do të ishte në etikën time si profesioniste të flisnim tani për ndonjë largim të mundshëm në drejtim të ndonjë skuadre tjetër. Natyrisht në fund të sezonit, mund të flasim më konkretisht, por deri atëherë, kemi edhe 8 ndeshje për të luajtur në kampionat dhe kemi misionin për të mbijetuar në kategorinë e parë. Prandaj them që është shpejt për të folur për opsione të tjera.” Ndërkohë që në kampionat po lufton për mbijetesë, në Kupën e Francës, skuadra e Arjolës, Tërvilë Floronzhë, ka arritur në çerefinale. Pasi mundi në turin e 16-shes skuadrën e kategorisë së dytë, Kimper Volej, me rezultatin 3-0, TFOC-ja ka një shans të mirë për të arritur në gjysmëfinale, pasi në çerekfinale do të ndeshet më 14 shkurt me Vandëvren e vendit të fundit.

Prenga, “MVP” e ndeshjes edhe në humbje

Pavarsisht se skuadra e saj e ka humbur edhe ndeshjen e 21 nëntorit 2011, duke u mundur 1-3 në fushën e vet përballë Istresë, 25-vjeçarja është shpallur si lojtarja më e vlefshme e ndeshjes (Most Valuable Player – MVP). Kjo ishte humbje e katërt në po aq javë të sezonit të ri të kampionatit francez të volejbollit për femra, por për Prengën kjo ishte më e hidhura. Shqiptarja ka qenë titullare gjatë gjithë ndeshjes, duke spikatur në të gjithë sektorët e lojës dhe duke realizuar 15 pikë në 41 rastet që iu paraqitën. Arjola ka qenë më e mira në sulm për skuadrën e saj, por edhe në lojën në bllok. Në fakt, kjo ka qenë një ndeshje e barazpeshuar në të katër setet e saj, ndërsa takim ky që ka zgjatur plot 1 orë e 59 minuta. Skuadra mike e Istresë e ka fituar setin e parë, që zgjati 26 minuta, në shifrat 25-20 dhe ka vijuar ta fitojë edhe të dytin, që me 34 minutat e tij ka qenë më i gjati i ndeshjes, në shifrat 25-15. Megjithatë, TFOC-ja e udhëhequr nga Prenga ka reaguar, duke e fituar setin e tretë brenda 27 minutash, në shifrat 26-16. Seti i katërt dhe ai vendimtari ka qenë i karakterizuar nga një luftë e jashtëzakonshme sportive dhe ka patur nevojë për pikët shtesë për të përcaktuar fituesin e tij dhe të gjithë takimit. Istreja e ka fituar atë në shifrat 26-24 dhe gjithë takimin me rezultatin 3-1. Edhe në ndeshjen e fundit, atë të luajtur mbrëmjen e së shtunës ndaj ekipit Istres, skuadra Tërvilë ku luan Prenga është mundur në shifrat 3-1 por shqiptarja ka spikatur sërish duke shënuar plot 15 pikë.

Curriculum Vitae

Emri/Mbiemri  : Arjola Prenga 

Kombësia  : Shqiptare

Datëlindja  : 09/05/1986

Lartësia  : 1 metra e 78 centimetra

Ekipi   : Tervilë Floronzhë Olimpik Klub

Nr. i fanellës  : 11

Roli   : Sulmuese/pritëse

Krahu   : I djathtë

 

Sezoni 2011-2012:

Sulme   : 128 pikë

Kundërsulme  : 22 pikë

Pritja e topit  : 37.82%

Mbrojtja  : 15.89%

7 herë më e mira e skuadrës