Vllaznia në volejboll për meshkuj ka arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj ekipit kryesor rival për titullin kampion, Tiranës. Ajo ka fituar 3-2 në një ndeshje me shumë emocione pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Ndeshja ka nisur mirë për volejbollistët shkodranë që fitojnë dy setet e para në shifrat 25-20 dhe 25-21. Ata ishin shumë pranë edhe fitores në setin e tretë dhe të krejt ndeshjes kur udhëhiqnin 20-15 por Tirana përmbys gjithçka dhe fiton 25-23. Me të njëjtin rezultat në favor të Tiranës do të mbyllej edhe seti I katërt duke bërë kështu që ndeshja të shkonte në set final.

Aty është Vllaznia që tregohet më e saktë dhe fiton 15-13 duke fituar krejt ndeshjen me rezultatin 3-2. Trajneri I këtij ekipi Artan Kalaja është shprehur shumë I kënaqur me fitoren duke thënë: “Ndoshta duhej ta kishim mbyllur më shpejt ndeshjen por të mos harrojmë se po luanim ndaj ekipit më të mirë të kampionatit. Fitorja ndaj tij na jep edhe më shumë besim për të ardhmen dhe kuptohet që objektivi ynë do jetë titulli kampion”. Pas fitores me Tiranës, tashmë Vllaznisë në volejboll I duhet të mundë edhe Studentin, një tjetër rival në mënyrë që të rikonfirmojë edhe njëherë tjetër vendin e parë në renditje megjithatë nisja që ajo I ka bërë kampionatit është shumë e mirë dhe duhet të mos e lëshojë më vendin e parë. Ndërkohë ekipi i Vllaznisë në volejboll për femra ka luajtur në Shkodër me Skënderbeun dhe është mundur me rezultatin 0-3. Seti i parë dhe i dytë kanë patur rivalitet (23-25 dhe 22-25) ndërsa në të tretin epërsia e korçarëve ka qenë më e madhe (15-25) dhe prandaj ka ardhur edhe fitorja e tyre.
© shkodrasport.com