Opinion nga Gasper MARKU*

Një sezon i tërë është në rrezik të shkojë dëm. Pas eliminimit nga Kupa, tensioni në qytetin verior ka arritur kulmin. Me frikën dhe pasigurinë e një rrëshqitjeje jashtë objektivave edhe në kampionat, ata ndjejnë zhgënjimin e madh nga skuadra e tyre e zemrës. Gjithsesi, edhe pse të gjithëve akoma nuk iu besohet dështimi i paimagjinueshëm i së mërkurës me Shkumbinin modest, që krejt pa dashje është në tetë më të mirat e këtij kompeticioni, ka sërish shpresë për të mos firmosur kapitullimin e këtij sezoni futbollistik. Një fitore me bardheblutë e Tiranës në fundjavë, e rikthen Vllazninë në “valle”. Vllaznia, edhe pse pati një start aspak të këndshëm, me atë humbje shokuese me kampionët në fuqi, në opinionin sportiv shkodran e më gjerë, të gjithë besonin se kuqeblutë shumë shpejt do të shkonin në vendin që i takon. Një besim që bazohej tek puna profesionale dhe sistematike e të gjithëve në kampin shkodran, duke filluar që nga serioziteti i kryebashkiakut-president Lorenc Luka, i bordit “sh.a.Vllaznia”, drejtuesve administrativë e teknikë të klubit, e në mënyrë të veçantë të teknikut Shpëtim Duro, i cili falë këtij bashkëpunimi të mirëfilltë, ndërtoi dhe përgatiti një skuadër simpatike. Dhe, në njëfarë mënyre, ndonëse paksa me zigzage, ia arriti qëllimit, teksa nuk vonoi të mbërrinte në vendin e dytë të renditjes. Imagjinoni, nëse do të ecte me këtë hap, me një tripikësh transferte, jo të pamundur për ta marrë në “Niko Dovana” të dielën e kaluar dhe me një kualifikim të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, në mesjavë me Shkumbinin, edhe ky mëse i mundshëm, tekniku Duro do të kishte qënë sot “kryefjala” e të gjitha mediave sportive shqiptare, përfshirë edhe “Sport Ekspres”, që e ka ndjekur hap pas hapi me shumë fanatizëm nga java në javë. Por, katër ditët e “zeza” të dështimit, nga 4 deri me 7 nëntor, ia prishën planet profesor Duros, sfumuan jo pak potencialin e gjithë asaj që ishte ndërtuar me mund e djersë. Vetë Duro është i ndërgjegjshëm se largimi nga Kupa është një goditje e rëndë për skuadrën, madje shumë e rëndë edhe për të si individ. Por, megjithatë, një “dritë në fund të tunelit” shihet sërish në Shkodër. “Mundim Tiranën, dhe luftojmë për të kapur kreun”, ishin zërat që dëgjoheshin gjatë ditës së djeshme në qytet, e më së shumti në radhët e tifozëve të zjarrtë kuqeblu, të cilët më shumë se asnjëherë tjetër po organizohen për t’i dalë zot kësaj Vllaznie, duke e mbështetur si asnjëherë tjetër në këtë kampionat në përballjen me Tiranën. Ndërkohë, edhe pse zemërata e tyre nuk ka qenë e vogël pas skualifikimit në Kupë, një optimizëm i tillë po e karakterizon edhe presidencën shkodrane, e cila me biseda, takime në grupe dhe kokë më kokë po përpiqet në maksimum të krijojë klimën e duhur.

*Marre nga gazeta “Sport Ekspres”