Pavarësisht përpjekjeve, volejbollistet e Vllaznisë nuk ia kanë dalë të kualifikohen për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen përcaktuese, atë ndaj Tiranës të luajtur pasditen e djeshme në kryeqytet, vajzat shkodrane janë mundur 3-1 dhe duke u renditur të tretat në grup, nuk e kanë fituar të drejtën për të vazhduar garën.

Sfida ndaj ekipit bardheblu ka qenë shumë e fortë. Vllaznia e ka nisur mirë ndeshjen duke fituar setin e parë 25-19 dhe kjo i dha shpresa për një fitore të ndeshjes dhe në fakt edhe seti i dytë nis mirë por më pas është Tirana që merr frenat e lojës në dorë dhe e fiton atë 25-20 duke barazuar shifrat e seteve.

I treti do të ishte përcaktuesi i fateve të kësaj ndeshje. Shumë rivalitet deri në fund, loja do të shkonte pikë më pikë por në fund është Tirana që e fiton atë 25-23 dhe më pas, e ka të lehtë për ta fituar edhe të katërtin 25-16 dhe krejt ndeshjen 3-1.

Megjithatë Vllaznia tregoi se ka rritje në lojën e saj dhe në fazën e dytë të kampionatit me shumë siguri do të ketë të tjera pretendime.
© shkodrasport.com