Vllaznia- Prizreni 69-86
Setet: 1) 17-18, 2) 15 – 14, 3) 18-29, 4) 19-25
Vllaznia: Taraboshi, Nexhemi, Berdica, Llazani, Gjoka (u aktivizuan: Shabani, Sukaj) Tr: Bledar Gjeçaj
Prizreni: Trolli, Shaptanoviç, Qollaku, Spaçi, Rexha (u aktivizuan: Kurti, Bipaj, Gashi, Sisoko) Tr: S. Kataliviç

Skuadra e Vllaznisë ka zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin e Prizrenit të Kosovës. Takimi është luajtur në qytetin e Shkodrës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Kuqeblutë në këtë sfidë kanë qenë të përgjysmuar me vetëm 6 basketbollistë sepse pjesa tjetër po marrin pjesën në universiadën që po zhvillohet në Kosovë pjesë e së cilës është edhe universiteti “Luigj Gurakuqi”. Për Vllazninë kanë munguar basketbollistë si: Ndoja, Faslija, Shestani, Domja e Halluni. Në këtë mënyrë duke patur shumë mungesa Vllaznia e ka humbur takimin në shifrat 69 – 86. Megjithatë edhe pse me vetëm 6 basketbollistë shkodranët kanë bërë një paraqitje të mirë dhe kanë treguar se këtë sezon do të jenë një skuadër pretendente. Loja nis e fortë edhe pse ndeshja është miqësore. Skuadrat nuk tolerojnë dhe kërkojnë maksimumin. Perioda e parë ka rivalitet. Kosovarët edhe pse me një skuadër më të mirëorganizuar në periodën e parë fitojnë me vetëm një pikë diferencë, 17-18. 10 minutëshi i dytë sjell barazpeshën mes ekipeve. Kësaj here është Vllaznia që thotë fjalën e saj teksa fiton 15-14 dhe gjysmën e parë të lojës e mbyll 32-32. Porn ë 20 minutat e dyta kuqeblutë ndjejnë lodhjen dhe mungesën e 5 basketbollistëve. Miqtë nga Kosova përfitojnë teksa fitojnë 18-29 periodën e tretë. Shkodranët përpiqen sërish të reagojnë por nuk e kanë fuqinë e duhur. Prizreni fiton edhe fraksionin e fundit të lojës, kësaj 19-25, duke e mbyllur krejt takimin me rezultatin e përgjithshëm 69-86. Pavarësisht kësaj humbje, Vllaznia e këtij sezoni do të jetë një nga skuadrat pretendente sepse gjatë merkatos së verës janë rikthyer në skuadër disa basketbollistë cilësor. Berdica, Nexhimi, Taraboshi, Llazani, Faslija, Gjoka, Ndoja, Halluni, Domja, Shestani, e Sukaj janë emra që këtë vit kërkojnë të bëjnë diçka të bukur për qytetin e tyre, pse jo edhe fitimin e titullit kampion.