Skuadra shkodrane ka qenë vetëm 11 minuta larg fitores pasditen e sotme ndaj Partizanit. Kjo ngaqë Batha në minutën e 79-të ka arritur të barazojë shifrat në 1-1, shifra këto që nuk ndryshuan më deri në fund të ndeshjes. Loja ka nisur mirë për Vllazninë. Që në minutën e katërt, Çinari ka kaluar në avantazh skuadrën e tij. Një kundërsulm i shpejtë i kuqebluve është konkretizuar nga numri 11 i tyre me një gjuajtje të fortë tokazi, çka ka bërë që edhe portieri Hoxha të dorëzohet. Ky gol i shpejtë u ka dhënë mundësinë vendasve që të administrojnë ashtu si duhet lojën.

Partizani sigurisht që nuk ishte i kënaqur me disavantazhin por e ka të vështirë para mbrojtjes dhe portierit Agoviç. Madje, nëse lojtarëte Vllaznisë do të ishin treguar pak më të vëmendshëm nëndonjë moment, edhe mund të kishin shënuar edhe golin e dytë. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në të dytën, të kuqtë e rrisin presionin dhe në ’60 Vila godet shtyllën. Më pas, në një tjetër rast, do jetë portieri Agoviç që do grushtojë një top të rrezikshëm. Megjithatë, minuta 79-të do të ishte fatale. Falë një përplasje me njërin nga mbrojtësit e Vllaznisë, topi shkon tek Batha që i lirë brenda zonës, e dërgon atë mbi portierin e saj dhe përfundon në rrjetë. Kaq do mjaftonte që të dy ekipet të ndanin nga një pikë. Kuqeblutë në këtë mënyrë, për të dytën herë në këtë sezon, i marrin barazimin një ekipi pretendent për titullin kampion siç është Partizani.

© shkodrasport.com