Përveç tre amerikanëve që tashmë janë veshur kuqeblu, drejtuesit e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë po shohin mundësinë për të marrë edhe ndonjë tjetër lojtar.

Arsyeja është e thjeshtë se gara do të jetë shumë e fortë dhe për këtë arsye, ekipi duhet të jetë i plotësuar. Dy prej pikësynimeve të tjera që ata kanë patur, me rikthimin e Faslijës dhe Berdicës, duket se nuk po realizohen.

Në këto kushte presidenti Xhaferi dhe drejtori teknik Halili po shohin ndonjë mundësi tjetër për gjetjen e ndonjë lojtari cilësor.

Ka qenë vetë drejtori teknik Altin Halili që e ka bërë të ditur një gjë të tillë kur është shprehur: “Ne po shohim mundësinë e marrjes edhe të ndonjë lojtari tjetër.

Unë jam në bisedime me gjashtë menaxherë të njohur dhe po shohim çfarë na ofrojnë. Kuptohet që po shohim edhe në Ballkan ku prioritet ka Kroacia por dhe Serbia, vende këto me basketboll të zhvilluar.

Ende nuk mund të themi me saktësi se çfarë do të realizojmë, por besoj se do të gjejmë lojtarët e duhur”.
© shkodrasport.com