Pas shumë portierësh me perspektivë që Shkodra ka nxjerrë ndër vite, tek Vllaznia tashmë po rritet një tjetër portier me shumë të ardhme.

Bëhet fjalë për Kristi Qarrin, i cili aktualisht luan me ekipin e parë të Vllaznisë. Paraqitjet e tij në ndeshjet, kur i është dhënë mundësia, kanë qenë për t’u vlerësuar dhe më e fundit, ajo në Shkodër ditën e djeshme ndaj Dinamos, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të Abssinet Superiore, ka qenë vërtetë mbresëlënëse.

Portieri ka luajtur dje plot 90 minuta në fushë në ndeshjen ndaj Dinamos dhe në fakt, Qarri ka mohuar një gol të sigurt në fillimin e ndeshjes, pas një kundërsulmi të Dinamos.

Megjithatë, përveç këtij rasti, Qarri nuk pati mundësi të tjera të tregonte vlerat e tij. Portieri nuk u vendos asnjëherë në provë serioze nga Dinamo. Edhe në golin e vetëm që Dinamo shënoi, portieri 21-vjeçar nuk kishte faj, por edhe nuk mund të bëntë asgjë për të penguar Sofranac të shënonte.

Ideja e stafit teknik për t’i dhënë besim dhe për ta aktivizuar, padyshim që duhet të jetë dhe duhet provuar edhe në ndonjë ndeshje tjetër të kampionatit. Në fakt, kuptohet që portieri i parë, zakonisht nuk ndryshon, por te Vllaznia duhet t’i japin besim më tepër Qarrit.

Zogoviç e ka sezonin e tij të dytë në Shkodër dhe përgjithësisht ka bërë mirë, por është 33-vjeç dhe sigurisht që e ardhmja e tij nuk do të jetë e gjatë në Shkodër. Kjo do të thotë se klubi duhet të investojë më shumë tek Kristi Qarri, një portier që konsiderohet me shumë të ardhme dhe padyshim pritet të jetë portieri i së ardhmes për Vllazninë.
Maringlen ZHIVANI