Ecuria e kësaj skuadre ka qenë shumë e mirë deri më tani në kampionat. Ka arritur të fitojë 10 takime, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje të pësuar.

Edhe golaverazhi është shumë i mirë, 33-4. Bëhet fjalë për Vllaznia U-17 e cila kryeson me meritë kampionatin e kësaj grupmoshe.

Por në fakt, ekipi do të ketë një problem jo të vogël në vazhdimin e kampionatit dhe që mund të ndikojë në rezultatet e tij.

Kjo ngaqë sulmuesi kryesor i tij, ka pësuar një dëmtim dhe e ka mbyllur sezonin. Bëhet fjalë për Rejdison Gjurkajn.

Këtë gjë e ka konfirmuar për “Shkodra Sport” zëvendëstrajneri i këtij ekipi Denis Zmijani i cili shprehet:

“Ky në fakt është një problem jo i vogël për skuadrën tonë.

Gjurkaj është dëmtuar teksa ka çarë meniskun dhe zgjat ligamentin e gjurit por çfarë është më e keqja, pas konsultateve që ka bërë në Greqi, edhe për disa muaj nuk mund të operohet sepse sipas mjekëve.

Kockat e tij nuk janë të formuara plotësisht dhe ndërhyrja nuk mund të bëhet tani”.

Gjurkaj ka qenë një element që ka spikatur në fazën e parë të kampionatit, një lojtar shtatëlartë dhe me një fizik për t’u patur zili megjithatë problemi kryesor nuk është gatishmëria e tij për këtë sezon.

E rëndësishme është që ai t’i kthehet sa më shpejt fushave të blerta të stërvitjes sepse do të ishte mëkat ta ndërpriste karrierën kaq shpejt.
© shkodrasport.com