Skuadra e Totenhem në vitet e fundit është munduar shumë herë të thyejë hegjemoninë e emrave të mëdhenj në futbollin anglez.

Edhe pse i ka mbyllur sezonet e fundit pa trofe, të paktën ka arritur të konfirmohet si një prej ‘të mëdhenjve’ në arenën kombëtare.

Ai synon që në këtë edicion të Ligës së Kampioneve të fitojë emër edhe në Europë, aty ku përballë ka sot Juventusin.

Ajo që bie më shumë në sy nga anglezët është fakti se pronari i vërtetë i klubit rrallëherë shihet në stadium, do të mungojë edhe sot në Torino, pasi preferon të ndjekë gjithçka nga jahti i tij luksoz në Bahamas.

Miliarderi Xhozef “Xho” Ljuis, 81-vjeç, u ka lënë dorë të lirë administratorëve që në fillimin e kësaj dekade, por duke i udhëzuar që të mendojnë për ndërtimin e një cikli fitues.

Ljuis kalon 9 muaj të vitit në jahtin e tij luksoz në Bahamas, një anije gjigante me gjashtë kate që mban emrin “Aviva” dhe ku në një nga sallat e saj ka të ekspozuar një koleksion arti me vlerën 1 miliard dollarë.

Ndërsa Ljuis admiron çdo ditë në këtë jaht pikturat e Pikasos që ka blerë në vite, në Angli është Daniel Levi ai që merret me çdo çështje që ka lidhje me klubin.

Ishte pikërisht ideja e 56-vjeçarit, në rolin e shefit ekzekutiv që nga viti 2001, që të rikonstruktohej i famshmi “White Hart Lane”, për ta çuar kapacitetin në 60 mijë vende dhe për të rritur të ardhurat e klubit.

Në këtë impiant, që nga viti i ardhshëm do të luhen edhe ndeshje të kampionatit të futbollit amerikan. /vipsport/