Pas Zef Gjonit, trajnerit të Vllaznisë në boks, edhe Gëzim Zeneli, trajneri i ekipit të Flamurtarit, mendon se presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Boksit Gjergj Leqejza, duhet të hapë krahun. Në një intervistë për gazetën shkodrasport.com, trajneri vlonjat që është njëkohësisht edhe zëvendëstrajner i kombëtares shqiptare, shprehet se boksi nuk ka nevojë për manekinë por për njerëz që duan të investojnë për të.

“Them se boksi shqiptar është në një moment të vështirë. Sportistët derdhin jo djersë në stërvitje por gjak e ky është ndryshimi i madh me sportet e tjera, prandaj dhe duan mbështetje më të madhe financiare. Boksi nuk ka nevojë për njerëz manekinë por për njerëz që kanë dëshirë të investojnë për këtë sport”- ka thënë trajneri Zeneli. Ai madje në intervistën e tij ka bërë për herë të parë publike edhe emrin e njeriut që është i gatshëm të investojë për boksin e ky është presidenti aktual i Flamurtarit në futboll, Sinan Idrizi që ka marrë përsipër shumë gjëra për këtë sport. “Na është ofruar një dashamirës i këtij sporti, pikërisht presidenti i ekipit të futbollit të Flamurtarit, z. Sinan Idrizi i cili jo vetëm mori përsipër grumbullimin 10 ditor të kombëtares së të rinjve në Vlorë, por ka premtuar se do të financojë edhe më shumë nëse zgjidhet në postin e presidentit. Ai ka premtuar rroga për trajnerët, për sportitët më të mirë dhe shumë gjëra të tjera. Në rrethana të tilla, është e mira që ky njeri të vijë në krye të Federatës sepse premtimet e tij nuk janë fjalë boshe por i bën realitet edhe me deklarata noteriale nëse është e domosdoshme. Unë dhe askush tjetër nuk ka gjë me presidentin aktual, z. Leqejza. E kemi shok dhe mik por kur vjen dikush tjetër, mendoj se duhet të hapë krahun. Nëse ai dëshiron të vazhdojë të qëndrojë në atë post, të paguajë ato çfarë premton dhe biznesmeni tjetër dhe jemi dakord ta mbajmë në këtë post”- thotë në fund zv/trajneri i kombëtares Gëzim Zeneli. Në këtë mënyrë, tashmë ka dalë në skenë edhe emri i parë i kandidatit që tenton të marrë postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit. Pavarësisht kësaj, do jenë klubet ata që do vendosin dhe nëse shumica e tyre janë dakord, atëherë duhet mbledhur Asambleja për ndryshimin e presidentit.

Gjergj KOLA