Pas ndeshjes se humbur ndaj Izraelit, ka vershyer nje lume i madh kritikash ndaj kombetares shqiptare. Ndaj trajnerit Reja, ndaj futbollisteve te veçante, perfshi ketu edhe kapitenin Hysaj e deri tek sulmuesi Broja.

Kane folur shume ish- futbolliste te njohur te kesaj skuadre e se fundi ka folur edhe njeri prej mbrojtesve te djathte me te mire ne historine e kombetares shqiptare, Hysen Zmijani.

Ai ka deklaruar se nuk ka asnjë të pazëvendësueshëm në ekipin Kombëtar. I ftuar në “Procesin Sportiv” legjenda shkodrane ka kritikuar lojtarët për të qenë më të kujdesshëm në përfaqësuese dhe të jenë më të thjeshtë e të sakrifikojnë më shumë.

“Jam dakord që ka një problematikë sot në ekipin kombëtar. Disa djem mendojnë se janë mbreti. Nuk është kështu, duhet të mendojnë se si të eliminojnë gabimet dhe të jenë më të përqendruar në fushë e lojës.

Broja? Unë mendoj se po i japim përgjegjësi më shumë se sa duhet atij djalit. Ai ka cilësi shumë të mira, por duhet që të funksionojnë të gjitha gjërat. A ka të pazëvendësueshëm sot në Kombëtare? Jo. Nuk ka të pazëvendësueshëm me atë që kanë treguar”, tha Zmijani.