Tani është zyrtare dhe kemi në datë përfundimtare për rifillimin e kampionatit gjerman të futbollit. Bundesliga do të riniset në datë 16 maj, vendim që është bërë i ditur nga presidenti i Ligës Gjermane të Futbollit.

“Lehtësimi i masave kufizuese, nuk do të thotë që koronavirusi nuk merret më seriozisht. Ne kemi nevojë për disiplinë dhe respekt për rregullat, përveç përgjegjësisë personale të secilit” deklaroi Christian Seifert.

Ky i fundit theksoi gjatë konferencës për shtyp se ndeshjet do të zhvillohen pa tifozë, teksa nuk është vendosur akoma në lidhje me propozimin prej 5 zëvendësimesh, pasi pritet vendimi i FIFA-s. Bundesliga do të përfundojë në datat 27/28 qershor.

Një ndryshim ka edhe në lidhje me periudhën e karantinës. “Do të zgjasë 7 ditë, nuk është më e nevojshme të zgjasë dy javë. Ky vendim është i justifikuar dhe dakorduar me sistemin shëndetësor gjerman“, deklaron Seifert. /abcnews/