Fernando Santos nuk është më trajneri i Portugalisë. Ajo që pritej ndodhi pasi trajneri dhe federata kanë prishur marrëveshjen që kishin mes tyre duke mos vazhduar më bashkëpunimin që kishte nisur që në vitin 2014.

Trajneri drejtoi kombëtaren e Portugalisë drejt suksesit të jashtëzakonshëm në Europianin e vitit 2016 por dështimi në Botëror e bëri të pashmangshëm, vendimin për ndërprerjen e marrëveshjes, edhe pse Federata e ka cilësuar të suksesshme fushatën që u mbyll me polemikat rreth mosaktivizimit të Ronaldos.

“Federata Portugeze e Futbollit dhe Fernando Santos ranë dakord t’i japin fund rrugëtimit shumë të suksesshëm që filloi në shtator 2014.

Pas një prej pjesëmarrjeve më të mira ndonjëherë të Kombëtares në fazat finale të Kampionatit Botëror, në Katar, FPF dhe Fernando Santos kuptojnë se ky është momenti i duhur për të nisur një cikël të ri.

Me Fernando Santos në krye të Kombëtares, vendi ynë fitoi për herë të parë dy kompeticionet ndërkombëtare: Euro 2016 të paharruar në Francë, dhe Ligën e Kombeve në 2019. Përveç titujve të fituar, Fernando Santos u bë trajneri me më shumë ndeshje dhe më shumë fitore”, shkruhej ndër të tjera në njoftimin e Federatës Portugeze që lajmëronte larigmin e Santos.

Trajneri u emërua në vitin 2014 në stolin e përfaqësueses së Portugalisë pasi kishin filluar eliminatoret e Euro 2016. Humbja që pësoi Portugalia përballë Shqipërisë me golin e Bekim Balajt, solli shkarkimin e Paulo Bentos nga stoli i kësaj përfaqësueseje dhe emërimin e Fernando Santos i cili e udhëhoqi skuadrën drejt suksesit më të madh në historinë e saj.