Suad Lici: Një sulmues nuk mund të bëjë gjithçka i vetëm tek Vllaznia

11 Tetor 2017

Ish-futbollisti i mirënjohur shkodran, Suad Lici, e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme përballjen e radhës që kuqeblutë do të kenë në kampionat ndaj Flamurtarit. Kështu që ai kërkon nga lojtarët të arrijnë të mbyllin me sukses këtë ndeshje, çka nënkupton fitoren në shtëpi. Në katër javët e para, Vllaznia ka siguruar vetëm një fitore, një barazim e dy humbje.

Ekipi ka zhvilluar vetëm një përballje në fushën e vet, atë me Teutën, takim i humbur me rezultatin minimal 0-1. “Takimi me Flamurtarin është shumë i rëndësishëm për Vllazninë që të kalohet me sukses. Një takim ku nuk ka vlerë asnjë rezultat tjetër për ekipin tonë veç fitores. Përse them kështu? Pasi kjo jo vetëm që do të na ndihmonte me pikë që janë të domosdoshme, sidomos ndaj kundërshtarëve direkt, por edhe do të ndihmonte ekipin për të krijuar më besim në vetvete. Skuadra ka nevojë për pikë që të rritet në të gjithë aspektet. Unë kam besim se Vllaznia do të arrijë të marrë më të mirën.Por dua të vlerësoj edhe ekipin e Flamurtarit, pasi ka lojtarë cilësorë e me shumë grintë. Vllaznia do ta ketë të vështirë, por kam besim te një fitore”, ka thënë fillimisht ish-futbollisti i mirënjohur per gazeten "Panorama Sport".
PROBLEMATIKA – Për Licin, një nga problemet e Vllaznisë në këto javë të para mbetet loja e skuadrës në sulm. Sipas tij, nuk është çështja e çalimit të sulmuesve të ardhur, por e lojës së skuadrës në sulm. Mungesat e miqësoreve dhe afrimet me vonesë janë shkak sipas Licit i paraqitjeve të skuadrës në këto takime të para.
“Ekipi po vuan shumë në fazën sulmuese. Unë nuk mund të them se po vuajmë për sulmues, pasi nuk është një sulmues që mund të bëjë gjithçka, por ajo që unë shikoj është se mungon loja e skuadrës në krah. Po ashtu sulmuesi kryesor ndihmohet pak nga ana e mesfushës.Ky është një problem që duhet zgjidhur për të pasur pritshmëri të mira për të ardhmen. Mungesa e miqë- soreve gjatë fazës përgatitore që të kishim një skuadër më të konsoliduar dhe afrimet e disa lojtarëve që sot janë titullarë me vonesë, kanë ndikimin e vet në këto javë të para”, vijoi Lici.
Një problem të tillë e ka përmendur jo pak edhe trajneri Cungu herë pas here. Shkodranët zhvilluan një fazë përgatitore të cunguar, ndërsa nuk arritën të bënin një merkato shumë aktive për shkak të buxhetit, të cilin e patën në dispozicion me vonesë.
VAZHDIMËSIA – Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i ashtuquajturi “xholi” i kësaj skuadre ka theksuar se beson te kjo Vllazni. Ai është i mendimit se kjo skuadër ka brumin e duhur. “Mund të them se kam besim tek elementët e kësaj skuadre. Janë djem shkodranë që do të tregojnë vlerat e tyre.Duhet të besohet te këta djem, por edhe këta duhet të japin vlerat që kanë. Duhet besuar te këta djem”, ka mbyllur Lici. Vllaznia e këtij sezoni futbollistik është në masë të madhe e populluar me lojtarë shkodranë, të cilët e ndiejnë jo pak peshën e fanellës.

We use cookies to improve our website. Cookies used for the essential operation of this site have already been set. For more information visit our Cookie policy. I accept cookies from this site. Agree