Kalendari i Liverpul ishte shumë i ngarkuar në këto kohë. Mes kampionatit, Kupës së Anglisë, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Botës për Klube. Tekniku i të kuqve, Jurgen Klop ishte ankuar disa herë, por kulmi arriti kur kalendari i rezervoi dy përballje në dy ditë.

Liverpuli duhej të zbriste në fushë më datë 17 dhjetor për ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Aston Vilës dhe më datë 18 dhjetor ishte planifikuar të luhej në Doha të Katarit, ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Botës për Klube.

Klop nuk kishte mundësi tjetër veçse të zgjidhte përparësinë e aktiviteteve pasi ishte e pamundur të luhej në të dyja sfidat. Kështu, në Kupën e Anglisë, Liverpuli aktivizoi të rinjtë dhe u mposht me rezultatin 5-0, ndërsa ditën tjetër fitoi ndaj meksikanëve të Monterej me rezultatin 2-1.

Kjo ngjeshje e kalendarit ishte edhe një sfidë për një nga fansat e Liverpul, Heri Slevin, i cili së bashku me gruan e tij i ndoqën nga afër të dy ndeshjet e skuadrës së zemrës.

Ata udhëtuan 3,329 milje teksa ia dolën të shkonin deri në Katar. Gjatë udhëtimit për në Doha, ata treguan se panë se nuk ishin të vetmit që kishin zgjedhur të udhëtonin drejt Katarit për të ndjekur Liverpulin nga afër.

Një sakrificë, të cilën fansat shpresojnë t’ia vlejë dhe nga Katari, Liverpuli të kthehet si kampionë.  /VipSport/