Flamurtari është në hall. Kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja me Vllazninë, vlonjatët po i bëjnë llogaritë me dy ekipe. Asnjë lojtar nga ata që kanë ardhur nuk është federuar dhe shkak sigurisht që është bërë bllokimi i merkatos prej borxhit të papaguar ndaj rumunit Kristian Sirgi.

Në kësi kushtesh, Marcelo Troisi duhet të sajojë formacionin me lojtarët që i kanë mbetur nga pjesa e parë e sezonit. Dhe kujtojmë se largimet nuk kanë qenë të pakta, pasi zyrtarisht kanë shpallur “divorc” 10 futbollistë (Bajraktareviç, Mema, Nebihu, Deliaj, Nika, Vatnikaj, Zeqaj, Diamanti, Qarri dhe Shala).

AFRIMET – Bruno Lipi, Uelder Kosta, Flosard Malçi, Indio Oliveira, po stërviten me ekipin dhe që mund të cilësohen si blerje, paçka se nuk kanë të drejtën që të regjistrohen në sistem. Këto ditë iu bashkuan Flamurtarit edhe Ilias Dunis, Elton Duku, por që nuk dihet nëse do të bëhen pjesë e ekipit.

Gjithçka lidhet me zhbllokimin e merkatos. Nëse supozojmë se FIFA jep vendim pozitiv, sërish gjërat nuk do të jenë të lehta për klubin dhe sidomos për prurjet nga Brazili, pasi kërkohet një kohë e caktuar e procedurave për mbërritjen e letrave dhe kalimin e tyre zyrtarisht te Flamurtari.

Në këto kushte, gjasat janë që për ndeshjet e para të këtij viti kalendarik, me Vllazninë që luhet nesër dhe me Skënderbeun që luhet në fundjavë, trajneri t’u besojë elementëve që janë nën kontratë me Flamurtarin, si Moçka, Gocaj, Pjeshka, Muçollari, Nebiu, Rrapaj, Hoxhaj, Ribaj, Llapi, Haruni, e Vrapi.

Mbetet për t’u parë sot gjithçka se çfarë vendimi do të marrë braziliani për 11-shen dhe cilët lojtarë do të hidhen në fushë për takimin e ditës së nesërme. Një tjetër fakt i rëndësishëm që vlen të theksohet është se asnjë nga lojtarët e afruar gjatë këtij janari te Flamurtari, as ka firmosur kontratë, e as është prezantuar zyrtarisht nga klubi, madje edhe vetë trajneri Marcelo Troisi.