Ditën e djeshme është luajtur një ndeshje e prapambetur e javës së nëntë të kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, pikërisht ajo në mes Teutës dhe ekipit shkodran AAS. Në këtë përballje të luajtur në Durrës, kanë qenë vajzat shkodrane që kanë luajtur më mirë dhe kanë fituar me rezultatin 4-3.

Një fitore kjo që e ka ngjitur ekipin e AAS femra në vendin e pestë të renditjes, duke qenë tashmë në kuotën e 15 pikëve dhe kuptohet që ky sukse do ta nxisë atë edhe më tepër për të bërë të tjera paraqitje të mira në fazën e dytë të kampionatit dhe për të tentuar ngjitjen edhe të ndonjë vendi tjetër në tabelën e klasifikimit.

Ndeshja është shoqëruar me rivalitet megjithatë vajzat e drejtuara nga trajneri Marvin Meçenovi kanë luajtur më mirë dhe kanë shënuar atëherë kur duhet, duke shkuar të sigurta drejt suksesit.

Dy prej golave të kësaj ndeshje mbajnë firmën e sulmueses Armoku ndërsa dy të tjerët janë shënuar nga futbollistet Shmidra dhe Tukaj. Përfundimisht 4-3 për AAS e cila duke qenë e pozicionuar tashmë në vendin e pestë, sigurisht që do të synojë të bëjë më mirë në fazën e dytë të kampionatit.
© shkodrasport.com