Dinamo ka pasur disa luhatje në këto gjashtë javë të para të Superiores dhe gjithçka kulmoi me gjashtë golat e pësuara ndaj Vllaznisë. Kryeqytetasit janë futur sërish në rrugën e duhur teksa triumfuan ndaj Skënderbeut me golin e Cinedu.

Për të folur për këtë skuadër, në një intervistë për “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari, ka dhënë opinionin e tij edhe ish-mbrojtësi i Dinamos, Arian Pisha.

“Dinamo ka bërë një fillim të mirë. Është gjë e mirë që një emër i madh si Dinamo është kthyer në Superiore. Ekipi ka qenë i konsoliduar, pavarësisht disa luhatjeve. Mendoj se do të jetë në rrugën e duhur dhe duhet t’i japim më tepër kohë.

Sot me Kukësin është ndeshje shumë e fortë. Kukësi është i vetmi ekip që bën futboll shumë të bukur. Ndeshja me Vllazninë? Më vjen keq sesi u pësuan ato gola, ishte një ekip pa një lider në prapavijë.

Nuk është bërë qameti me atë humbje, që ekipi të demoralizohet. Më mirë që ndodhin ndonjëherë që të korrigjohet skuadra. Është e vërtetë që ka pasur shumë investime nga presidenca dhe e drejtë që kanë pritshmëri për titullin kampion. Por duhet të ketë ndërhyrja të tjera, për të marrë lojtarë me përvojë që të arrihet te vendi i parë duke parë edhe këtë kampionat”, tha Pisha. /Sport Ekspres/