Mund të quhet pa frikë një Besëlidhje e “shkodranizuar”. Numri i futbollistëve të ardhur nga qyteti më i madh verior, Shkodra, ditën e djeshme ka arritur në 10-të. Duket se drejtuesit e klubit lezhjan besojnë më shumë se asnjëherë tjetër se Superliga mund të arrihet vetëm me lojtarë shkodranë, apo e thënë ndryshme, duke patur “bërthamën” e ekipit me shkodranë. Nëse në fazën e parë ishin 6-të futbollistë, që vinin nga qyteti fqinj, nga “djepi i futbollit”, numri i tyre, tani ka shkuar në 10, ndërkohë, që ditët e fundit janë larguar nga kjo skuadër dhe Bledar Perfati dhe Suad Kaloshi. Në fazën e parë tek Besëlidhja bënin pjesë V.Pepa, Shytani, Jacaj, A. Dibra, K.Dibra dhe Kepi, tani janë shtuar dhe A.Kaçi, Curri, Hyseni dhe Pjetrani, i cili ka dy ditë është bërë pjesë e lezhjanëve. Të paktën, ky i fundit, është stërvitur me Besëlidhjen dhe nuk dihet nëse ka firmosur direkt me klubin në fjalë, apo është në provë. Paralelisht me Pjetranin, i cili u largua nga Luftëtari i Gjirokastrës, kanë mbërritur nga Shkodra dhe Hyseni së bashku me Currin. Të tre kta pretendojnë të firmosin me klubin e Besëlidhjes, ku drejtuesit e saj, afrojnë tanimë kontrata 2-vjeçare. Pikërisht se iu afrua një kontratë e tillë, kaq e gjatë, sulmuesi Perfati, nuk pranoi të firmoste me lezhjanët, pas një jave stërvitjeje dhe u largua. Ndërsa për Currin, Hysenin dhe Pjetranin mbetet për t’u parë, nëse do të firmosin apo jo. Në total, numri i futbollistëve, që stërviten thuajse çdo ditë, në radhët e kësaj skuadre, shkon në 35 veta. Ditët e fundit është zyrtarizuar edhe një blerje e re, që është serbi Gjeorgjeviç, që luan në mesfushë, në të dy krahët. Ky është afrimi i tretë për këtë ekip, pas Albert Kaçit dhe Ardian Beqirit. Lezhjanët vazhdojnë të stërviten me intensitet të lartë, ku dje kanë zhvilluar një ndeshje kontrolli mes grupit, ndërsa sot pritet që të kenë dy seanca stërvitore. Paradite, seanca do të përqëndrohet tek përgatitja atletike, ndërsa pasdite, tek puna me topin.

www.shkodrasport.com