Janë luajtur vetëm 270 minuta të sezonit të ri të ri dhe ka nisur menjëherë valsi i stolave në Kategorinë Superiore. Kështu, Renato Arapi nuk do të jetë më trajner i Teutës dhe ky vendimi i papritur i klubit bregdetar ka ardhur vetëm dy ditë pas barazimit në derbin ndaj Erzenit, në stadiumin “Niko Dovana”. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Teuta largon Arapin, pasi edhe në sezonin e kaluar, drejtuesit morën vendim për të zhvendosur ish-kapitenin në detyrën e drejtorit sportiv dhe për të rikthyer Edi Martinin.

Tashmë, pas humbjes në javën e parë ndaj Laçit dhe dy barazimeve radhazi me Bylisin dhe Erzenin, drejtuesit kanë vendosur të mos vazhdojnë me Arapin në stol. Një nga kandidatët kryesorë për stolin e Teutës është korçari Bledi Shkëmbi, i cili e ka drejtuar edhe më parë këtë skuadër. I kontaktuar të hënën në mëngjes nga RTSH Sport, vetë 43-vjeçari ka pohuar kontaktet me drejtuesit e klubit bregdetar, por nuk ka dhënë një afat kohor për vendimin përfundimtar.

“Po, kam patur një kontakt me drejtuesit e Teutës, por për momentin gjithçka është thjesht në kuadrin e një ideje”, – ka pohuar Shkëmbi nëpërmjet linjës telefonike, duke shtuar: “Nuk kam ndonjë orar për një takim të mundshëm me presidentin e Teutës, por gjithçka mund të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme. Nuk e fsheh se do të më pëlqente të kthehesha të punoja tek ky klub, sepse, në fund të fundit, ky është profesioni dhe pasioni im”.

Derbi i fqinjëve, midis Erzenit dhe Teutës, është rikthyer të shtunën në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, pas 19 vitesh mungesë dhe takimi i vlefshëm për javën e 3-të, është luajtur pikërisht në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, edhe pse pritës ishin shijakaset, por u mbyll me rrjeta të paprekura. Teuta mban hëpërhë vendin e parafundit të renditjes, me vetëm 2 pikë të marra në këto 3 javë të para të Kategorisë Superiore.