Një nga lojtarët më të mirë të Kategorisë Superiore në kohën e tij dhe ish-lojtar i Vllaznisë e Partizanit ndër të tjera, Dorian Bylykbashi, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka folur për ndeshjen e së shtunës per te cilen nder te tjera eshte shprehur:


Kush është favoriti në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Partizanit?

Nuk e di si do të shkojë. Janë dy ekipet e mia të zemrës dhe nuk dua të përcaktoj një favorit. Partizanin dhe Vllazninë i respektoj në maksimum, dua që të dyja të jenë sa më lart në renditje. Nesër le të fitojë më i miri. Kam respekt për të dyja tifozëritë. Le të shohim futboll të bukur, që Vllaznia e ka treguar këtë sezon, ndërsa Partizani le të luftojë për të qenë minimalisht në katërshe.

Pse nuk e ndoqi dot Vllaznia, Tiranën në garën për titull?

Në ato pak ndeshje që i kam ndjekur më janë dukur një skuadër shumë e mirë. Nuk e di çfarë nuk ka shkuar. Duhet të themi se është Tirana ajo ka pasur një hap shumë të mirë, të mos ia mohojmë vlerat, nuk është vetëm faji i Vllaznisë.


A është euforia e tifozëve, dhe jo vetëm, një problem për Vllazninë?

Jo, nuk mendoj kështu. Ai është një tregues i qartë se atje e përjetojnë shumë futbollin, e kanë si oksigjen. Është diçka që tifozëria e Vllaznisë e ka, por futbollisti nuk ka përse të ndikohet nga kjo. Është tjetër gjë ta shohësh futbollin në stolin e tifozit dhe tjetër gjë të jesh lojtar. Tifozët e Shkodrës janë të vetmit që duartrokasin edhe kundërshtarët.